Arbëri

Zgjedhjet lokale dhe vizita e Von der Leyen mund të ndihmojnë në heqjen e mëtejme të masave

Vjosa Osmani dhe Ursula von der Leyen

Foto: Driton Paçarada

Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë do të mund të ndihmojë drejt hapave të mëtejmë të Bashkimit Evropian për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës. Por për momentin nuk ka ndonjë veprim konkret në këtë drejtim.

Burimet diplomatike në BE thonë se mirëvajtja e zgjedhjeve lokale ka qenë një sinjal i mirë, sidomos pjesëmarrja e madhe e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje. Por të njëjtat burime kanë shtuar se disa qarqe duan të presin dhe të shohin se si do të bëhet bartja e pushtetit lokal tek ata që kanë fituar në zgjedhjet lokale.

Një zëdhënës i BE-së ka thënë se Von der Leyen ka qenë e inkurajuar pas bisedave që ka pasur në Kosovë.

“Presidentja Von der Leyen ka pasur diskutime konstruktive me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti gjatë turneut të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo ishte e inkurajuar me raundin e parë të zgjedhjeve lokale paqësore, konkurruese dhe inkluzive, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.  Ky është një sinjal i rëndësishëm për depërshkallëzim në veri i cili do të konsiderohet në kontekstin e heqjes së mëtejme të masave“, ka thënë për Kohën një zëdhënës i BE-së.

“Ne presim që raundi i dytë i zgjedhjeve të zhvillohet në mënyrën e njëjtë dhe i gëzohemi një tranzicioni të rregullt të qeverisjes lokale”, ka thënë ky zëdhënës.

Në BE moti ishte miratuar vendimi për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës por në të njëjtin vendim ishte thënë se kjo duhet të bëhet paralelisht me masat e Kosovës drejt uljes së tensioneve në veri. Me përjashtim të disa hapave simbolikë, masat nuk kanë ndryshuar. Para disa ditëve heqjen e masave e kanë kërkuar edhe disa organizata të shoqërisë civile nga Kosova.