Arbëri

Vitia: Planifikohet angazhimi i 100 inspektorëve për monitorimin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit

Një ditë para shënimit të Ditës Botërore Kundër Duhanit, në Ministrinë e Shëndetësisë paralajmëruan angazhimin e 100 inspektorëve për monitorimin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. E profesionistë shëndetësorë alarmuan për rreziqet që kanosen nga konsumimi i duhanit, veçmas në ambiente të mbyllura

Nevoja për shtimin e kapaciteteve inspektuese me qëllim të rritjes së kontrollit për përdorimin e duhanit është shtruar të premten, në prag të Ditës Botërore Kundër Duhanit, që shënohet çdo 31 maj. 

Në një konferencë të organizuar për shënimin e kësaj dite, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, e kualifikoi përdorimin e duhanit si një prej sfidave serioze për shëndetin publik teksa tha që për monitorimin e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit planifikohet angazhimi i 100 inspektorëve të rinj. 

“Kemi fuqizuar edhe kapacitetin inspektues përmes rekrutimit të rreth 30 inspektorëve të rinj që kanë ndihmuar në zbatim të ligjit, por natyrisht kjo akoma nuk është e mjaftueshme dhe vazhdon të mbetet sfidë serioze. Prandaj, kohëve të fundit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave po përgatisim një plan për angazhimin e rreth 100 vetave shtesë që ky ligj të zbatohet në përpikëri në të gjitha vendet ku nuk duhet të pihet duhani”, ka Vitia. 

Pulmologu Skender Baca e vlerësoi shqetësues nivelin e përdorimit të duhanit në Kosovë, veçanërisht në hapësira të mbyllura.

“Shumëfish është dëmi më i madh nëse pihet duhani në ambientet e mbyllura, posaçërisht në automobil... Fatkeqësisht Kosova është në vendin e parë në Evropë për duhanpirje. Në Kosovë çdo ditë, sipas shënimeve po edhe të Doganës dhe të statistikave prej Institutit të Statistikës, digjen mbi diku 600 mijë euro çdo ditë. D.m.th. kjo është një shumë enorme”, ka theksuar Baca. 

Ai alarmoi për rreziqet shëndetësore që i mbart konsumimi i duhanit.

“Duhanpirja ka shumëfish dëmtime në organizim e njeriut duke filluar fillimisht nga mushkëritë, trakti i sipër dhe poshtëm respirator, pastaj nikotina me depërtimin edhe elementeve të tjera në gjak edhe në organe të tjera, konkretisht në zemër, tru, veshkë dhe organe të tjera, por fillimisht gjithmonë koncentrohemi në mushkëri, sepse aty janë dëmtimet më të mëdha dhe afatgjate”, ka thënë pulmologu Baca. 

E specialisti i shëndetit publik në IKSHPK, Faik Hoti, tha se sivjet do të realizohet një hulumtim që do të gjenerojë të dhëna mbi nivelin e përdorimit të duhanit në Kosovë.

“Këtyre viteve janë bërë hapa të konsiderueshëm pozitivë dhe një prej tyre është implementimi i vërejtjeve të kombinuara që konsiderohet masë e pakos së OBSH-së për kontrollin e duhanit. Mirëpo ne kemi nevojë t’i përforcojmë aktivitetet tona edhe në fusha të tjera, qoftë në monitorim të duhanpirjes, qoftë të bëjmë hapa pozitivë në aspektin e lënies së duhanit”, ka thënë Hoti. 

KOHA ka pyetur në Inspektoratin sanitar lidhur me inspektimet që janë realizuar gjatë këtij viti dhe gjobat që janë shqiptuar për mosrespektim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, porse gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje. 

Dita Botërore Kundër Duhanit është shpallur më 1987 me qëllim të rritjes së informimit e ndërgjegjësimit të popullatës për rreziqet që i prodhon duhanpirja, si dhe për ndërmarrjen e politikave efektive drejt uljes së prodhimit e përdorimit të tij.