Teksa BE-ja po përgatit rishikimin e ligjeve për duhanin dhe nikotinën, në Konferencën Evropiane për Duhanin ose Shëndetin, janë kërkuar masa më të ashpra kundër cigareve elektronike dhe produkteve të reja me nikotinë. E, në Prishtinë, mjekët kanë alarmuar për shkallë të lartë varësie te të rinjtë
Nisma e Komisionit Evropian për ta rishikuar këtë vit legjislacionin për kontrollin e duhanit dhe nikotinës, ka dominuar diskutimet në Konferencën Evropiane për Duhanin ose Shëndetin, organizuar në Milano gjatë kësaj jave.
Gjatë punimeve të saj është kërkuar forcimi i masave kundër varësisë nga nikotina, përfshirë rregullat për reklamim dhe taksimin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEkspertët e kanë cilësuar sfidë të re shfaqjen e produkteve të reja të nikotinës, ndërsa drejtori i OBSH-së ka thënë se duhani vazhdon të shkaktojë mbi 7 milionë vdekje në vit.
“Sot, përballemi jo vetëm me dëmet e vazhdueshme të shkaktuara nga produktet tradicionale të duhanit, por edhe me një treg që po ndryshon me shpejtësi të produkteve të reja dhe në zhvillim të nikotinës. Këto produkte shpesh reklamohen si më pak të dëmshme, por në realitet po krijojnë rrugë të reja drejt varësisë, veçanërisht për të rinjtë. Kjo nuk është ulje e dëmit. Kjo është krijim i dëmit. Evropa ka qenë lidere globale në kontrollin e duhanit, por rregulloret jo gjithmonë kanë ecur në hap me dëshmitë dhe produktet e reja. Teksa po rishikohen direktivat kryesore të BE-së për produktet e duhanit, taksimin dhe reklamimin, kemi një mundësi politike për të mbyllur boshllëqet dhe për të forcuar mbrojtjen”, ka thënë Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.
Në konferencë është theksuar se në Evropë ka përdorim të lartë të cigareve elektronike, sidomos nga të rinjtë. Po ashtu është vlerësuar se masat si taksimi i fortë i produkteve të nikotinës, kufizimet në reklamimin dhe marketing, kufizimi i shitjes e zgjerimi i zonave ku ndalohet përdorimi, janë disa prej mënyrave më efektive për ta ulur duhanpirjen.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Ligave Evropiane të Kancerit ka thënë se krijimi i hapësirave pa nikotinë është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e varësisë.
“Shfaqja e shpejtë e produkteve të reja të nikotinës, e kombinuar me ndryshimin e mënyrave të përdorimit, do të thotë se puna jonë është më e rëndësishme dhe më urgjente se kurrë.… Nga shkollat dhe parqet deri te rrugët dhe transporti publik, çdo hapësirë duhet të inkurajojë zgjedhje të shëndetshme. Krijimi i mjediseve pa nikotinë është një hap kyç për të eliminuar dëmet, për të parandaluar varësinë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë”, ka thënë Juha Pekka Turunen, kryetar i kësaj lige.
KOHA ka raportuar javën e shkuar se edhe në hapësira afër shkollave konsumohen nga fëmijët dhe shiten lirshëm cigaret elektronike si dhe produktet e reja të nikotinës.
Pulmologu Besim Morina ka ngritur alarmin për shkallën e varësisë.
“Niveli i lartë i nikotinës që gjendet në këto produkte bëjnë që fëmijët, shpesh kemi raste që të bëhen kaq shumë të varur, ata zgjohen nga gjumi, natën që të marrin dozën e nikotinës, për shkak se trupi ua kërkon atyre sepse ka shkaktuar varësi”, është shprehur Morina.
Ai ka folur edhe për pasojat shëndetësore nga konsumi i këtyre produkteve.
“Përdorimi i tyre bën që të kemi probleme shëndetësore si në mushkëri, për shkak të avujve, tretësve që përdoren, ngjyrave që përdoren, erërave artificiale që përdoren për ta bërë më atraktive atë produkt pastaj japin efekte të dëmshme edhe në zemër, në sistemin kardiovaskular, në tru, në sistemin psikik e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Së fundmi, në Kosovë është marrë një iniciativë për të ndryshuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit. Por, autoritetet kanë pranuar vetëm rekomandimin për ndalimin e shijeve dhe aromave për cigaret elektronike, por jo edhe kufizimin e shitjes së tyre në hapësira të caktuara.