Mungesa e institucioneve funksionale ka ndikuar edhe në zvarritjen e rregullimit dhe kontrollimit me ligj të shitjes dhe përdorimit të cigareve elektronike, veçmas nga të rinjtë. Në mungesë të trajtimit të plotësim-ndryshimeve në Ligjin aktual kundër Duhanit, qasja e fëmijëve në këto produkte sigurohet lehtë, meqë produktet shiten gjerësisht në afërsi të shkollave. Ekspertë shëndetësorë dhanë alarmin për rrezikun që ato e përbëjnë kur konsumohen nga fëmijët
Rregullimi dhe kontrollimi i shitblerjes dhe i përdorimit të cigareve elektronike veçmas nga të rinjtë, nuk ka marrë trajtim që prej rreth një viti, në mungesë të institucioneve funksionale.
Që atëherë, drafti me plotësim-ndryshime në Ligjin Kundër Duhanit e që i përfshin edhe cigaret elektronike, ka mbetur në sirtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ekspertë e organizata të shëndetit kanë alarmuar në vazhdimësi se mungesa e rregullimit ligjor siguron qasje të lehtë në këto produkte, veçanërisht pranë shkollave dhe përmes reklamimit online.
Arben Lila, menaxher në organizatën “Qendra për Avokim dhe Zhvillim”, ka marrë pjesë në hartimin e draftit të ligjit. Ai thotë se për ta shmangur ekspozimin e fëmijëve ndaj këtyre produkteve me nikotinë, ligji duhet të finalizohet e miratohet me urgjencë.
“Fatkeqësisht shumë afër shkollave Vap-i shitet shlirë, domethënë pa kurrfarë mbikëqyrje. Prindërit janë të alarmuar, kemi marrë shumë kërkesa prej tyre pse shlirë shiten, kjo është për shkak se Ligji nuk i ndalon”, ka thënë Lila. “Po priten institucionet e reja dhe pastaj të vazhdojmë që cigaret elektronike të shiten edhe në dyqane të specializuara, pra, të mos kenë qasje fëmijët, të mos kenë qasje të lehtë aty afër shkollës ta marrin e ta konsumojnë”.
E në ndryshime te ligji, Lila tha se është paraparë të adresohet edhe reklamimi online i Vape-ve.
“Reklamimi i cigareve elektronike, ato shiten kudo, reklamohen kudo nëpër mjete elektronike, sidomos në instagram dhe me influencera të ndryshëm. Kjo është ajo çfarë neve na brengosë më së shumti”, ka thënë ai. “Ne avokojmë dhe do të mundohemi, do të përpiqemi që në draftin e ligjit të ri të ndalohen plotësisht reklamimi i cigareve elektronike”.
Në Ministrinë në detyrë të Shëndetësisë që prej dy ditësh nuk u janë përgjigjur pyetjeve se si synohet të bëhet rregullimi i përdorimit të cigareve elektronike nëpërmjet ndryshimeve në ligj.
Rregullimi gjithëpërfshirës i produkteve me nikotinë dhe parandalimi i varësisë së të rinjve nga cigaret elektronike u kërkua me urgjencë, në seancën e 11-të të Konferencës së Palëve të Konventës Kuadër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Kontrollin e Duhanit.
Apelin për këtë e bëri drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë punimeve të konferencës që u mbajt në Gjenevë,
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të rregullojnë të gjitha produktet e nikotinës – cigaret elektronike, produktet e duhanit të ngrohur, qeset e nikotinës, të paktën po aq rreptësisht sa rregullojnë produktet tradicionale të duhanit. Disa vende madje i kanë ndaluar plotësisht”, ka thënë Ghebreyesus. “Gjithashtu u bëjmë thirrje qeverive të zgjerojnë mbështetjen për metodat e provuara të lënies së duhanit, përfshirë këshillimin dhe terapitë e miratuara të zëvendësimit të nikotinës. Vitin e kaluar, OBSH-ja publikoi udhëzime të reja klinike për trajtimin e varësisë nga duhani, dhe i inkurajojmë të gjitha vendet t’i zbatojnë ato”.
E në Kosovë, pulmologu Skender Baca, alarmoi për pasojat dhe dëmet që i shkakton konsumimi i këtyre produkteve.
“Shkaktojnë prodhimin e temperaturave të larta në bronke dhe ajo praktikisht i djegë qelizat epiteliale, njëjtë sikurse në diell që digjen qelizat epiteliale të lëkurës edhe kemi skuqje dhe djegie. Ajo njëjtë në bronket tona ndodh në këto qeliza. Një ekspozim i këtyre qelizave ndaj temperaturave të larta, që është element fizik i dëmtimit të bronkut, me kohë shkakton predispozita për krijimin e kancerit”, ka thënë pulmologu Baca.
Ai ka theksuar se rreziqet bëhen edhe më të mëdha kur konsumues janë fëmijët.
“Fëmija duhet me u konsideru se 10 fish e 20 fish është më i predispozuar që të dëmtohet, domethënë është më i ndjeshëm sesa një organizëm i rritur. Për shembull, nëse një organizëm 15 vjeçar është alergjike dhe e përdor Vap-in, ato raste janë 92 për qind më të rrezikuara që të zhvillohet astma”, ka thënë Baca.
Cigaret elektronike me ngjyra, aroma dhe shije të ndryshme përdoren gjerësisht nga fëmijët dhe se varësia që shkaktojnë ato është e lartë.