Botë

OBSH-ja u kërkon shteteve t’i shtrëngojnë masat ndaj cigareve elektronike

Në Gjenevë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka nisur konferencën gjashtë ditore për kontrollin e duhanit. Në të u alarmua për përdorimin e madh të cigareve elektronike nga fëmijët dhe për varësinë që ato shkaktojnë tek të rinjtë

Gjenevë, 18 nëntor - Rregullimi gjithëpërfshirës i produkteve me nikotinë dhe parandalimi i varësisë së të rinjve nga cigaret elektronike u kërkua me urgjencë, në seancën e 11-të të Konferencës së Palëve të Konventës Kuadër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Kontrollin e Duhanit. 

Në sallën e Qendrës Ndërkombëtare të Konferencës në Gjenevë, është duke i mbajtur punimet konferenca gjashtë ditore. Aty janë mbledhur më shumë se 1 mijë e 400 delegatë nga e gjithë bota në shënim të 20 vjetorit të Konventës të OBSh-së kundër duhanit, dhe kanë diskutuar mënyrat e luftimit të produkteve më të reja të duhanit. Konferenca nisi të hënën dhe prej dy ditësh është theksuar se cigaret elektronike me ngjyra, aroma dhe shije të ndryshme po përdoren gjerësisht nga fëmijët dhe se varësia që shkaktojnë është e lartë” 

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se produktet e reja të nikotinës janë kërcënim në rritje dhe sfidë globale. Ai prezantoi të dhëna që tregojnë për përdorim në masë nga fëmijët, të cigareve elektronike të njohura si VAPE.

“Shkollat janë bërë fronti i ri në luftën kundër duhanit dhe nikotinës, ku kompanitë rekrutojnë një brez të ri të varurish. Raporti i fundit global i OBSH-së për rininë dhe duhanin vlerëson se pothuajse 15 milionë adoleshentë përdorin cigare elektronike. Në 63 vende, prevalenca e VAPE tek adoleshentët është mesatarisht nëntë herë më e lartë se tek të rriturit”, ka thënë Ghebreyesus. “Edhe pse cigaret elektronike promovohen si më të sigurta, nuk ka prova të përfitimit të tyre për shëndetin publik, ndërsa rreziqet janë gjithnjë më të larta. Kjo është një strategji e studiuar mirë që industria e duhanit përdor për të rekrutuar fëmijët tanë sa janë ende të vegjël. Kjo nuk ka të bëjë me reduktimin e dëmit. Prandaj thashë se ka të bëjë me prodhimin e dëmit. Dhe si prind, jam baba dhe gjysh, besoj se duhet t’i mbrojmë fëmijët tanë”.

Në konferencë u prezantua e dhëna se një cigare elektronike mund të përmbajë nikotinë sa 9 paketa cigareje tradicionale. 

Drejtoresha e përgjithshme e shëndetit dhe sigurisë ushqimore në Komisionin Evropian, Sandra Galina, tha se përballja me ngjyra dhe aroma të ndryshme të VAPE është sfiduese. 

“Aromat kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në tërheqjen e fëmijëve. Janë hapi i parë drejt nisjes së duhanit ose nikotinës. Është shumë e vështirë kur përballesh me produkte të ndezura, shumëngjyrëshe, dhe me aromat e tyre të këndshme. Duhanpirësit e vjetër thonë: “po përdor cigaret elektronike” për të lënë duhanin por shpesh përfundojnë duke i përdorur krahas produkteve me nikotinë ose krahas duhanit. Dhe këtu qëndron sfida”, ka thënë Galina. 

Ajo tregoj edhe masat e ndërmarra kundër cigareve elektronike.

“Ne kemi vendosur kufizime të shumta për reklamimin dhe promovimin e tyre, kemi ndaluar shumë forma të promovimit. Ishte qëllimi fillestar i yni që të reduktonim funksionin e marketingut në mendjen e atyre që synohen, sidomos të rinjve, që mund të joshen lehtë. Po ashtu, jemi në proces të përditësimit të direktivës së taksimit të duhanit, me synimin të vendosim norma minimale të akcizës për duhanin e ngrohur, lëngjet e cigareve elektronike dhe produktet e tjera me nikotinë”, ka bërë të ditur Galina.

Në konferencë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, u bëri apel shteteve të shtrëngojnë masat në raport me cigaret elektronike. 

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të rregullojnë të gjitha produktet e nikotinës – cigaret elektronike, produktet e duhanit të ngrohur, qeset e nikotinës, të paktën po aq rreptësisht sa rregullojnë produktet tradicionale të duhanit. Disa vende madje i kanë ndaluar plotësisht”, ka thënë Ghebreyesus. “Gjithashtu u bëjmë thirrje qeverive të zgjerojnë mbështetjen për metodat e provuara të lënies së duhanit, përfshirë këshillimin dhe terapitë e miratuara të zëvendësimit të nikotinës. Vitin e kaluar, OBSH-ja publikoi udhëzime të reja klinike për trajtimin e varësisë nga duhani, dhe i inkurajojmë të gjitha vendet t’i zbatojnë ato”.

Në Gjenevë u mbajt edhe tryeza diskutimi nga organizata “Campaign for Tobacco-Free Kids”, në të cilën ekspertë shëndetësorë folën edhe për varësinë që shkakton nikotina e cila gjetet në cigaret elektronike.

Ghazi Zaatari, profesor dhe kryetar i Departamentit të Patologjisë dhe Mjekësisë Laboratorike në Universitetin Amerikan të Bejrutit, tha se këto produkte janë larg të qenit të padëmshme. 

“Ato përmbajnë toksina dhe narrativa që ato ndihmojnë të hiqni dorë nga duhani është larg të qenit e vërtetë. Janë bërë disa studime që tregojnë se ato nuk ndihmojnë njerëzit të heqin dorë, ka pasur studime në mbarë botën në disa popullata”, ka thënë Zaatari. “Nikotina, si substancë kimike, nuk po flas për produktet e nikotinës, nikotina është substanca adiktive. Një ekspozim ndonjëherë mjafton për ta kthyer këtë person në përdorues të gjatë të produktit”.

Punimet e konferencës do të vazhdojnë deri më 22 nëntor me tema të ndryshme.