Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vihet në pikëpyetje zgjedhja e këshillave lokalë në Obiliq

Komuna e Obiliqit

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka vlerësuar se Kuvendi Komunal i Obiliqit është vonuar për të formuar Komisionin e ankesave për këshillat e fshatrave.

Në një përgjigje të kësaj Ministrie ndaj një ankese të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e kanë konstetuar procesin e këshillave lokalë, thuhet se zgjedhja e këshillave të fshatrave duhet të nisë pas formimit të Komisionit të ankesave.

Ndërkohë, që Kuvendi e kishte themeluar këtë Komision vetëm pasi i kishte zgjedhur të gjithë këshillat lokalë.

“Kuvendi i Komunës së Obiliqit është i obliguar që në përputhje me Rregulloren (KO) 03/2022 për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatra, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Obiliqit të themelojë komisionin për përzgjedhjen e këshillave të fshatrave dhe komisionin e ankesave në të njëjtën kohë. Themelimi i komisioneve bëhet duke respektuar kriteret e parapara me nenin 4 dhe nenin 9 të Rregullores. Puna e komisionit për përzgjedhjen e këshillave lokale fillon vetëm pas themelimit të komisionit të ankesave”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së dërguar VV-së.

Tutje në këtë përgjigje thuhet se duhet të ketë edhe përfaqësim gjinor dhe etnik.

“Kuvendi i Komunës themelon këshillat lokale. Këshilli duhet të përfshijë përfaqësimin e çdo fshati, vendbanimi apo lagjeje urbane, përfshirë përfaqësim gjinor dhe etnik sipas kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (MAPL) Nr. 02/2019 për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunave me fshatra, vendbanimet dhe lagjet urbane dhe Rrehulloren e Komunës për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatra, vendbanime dhe lagje urbane”.

KOHA e ka pyetur MAPL-në nëse ky proces do të kthehet në pikën zero, por që gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

Edhe LVV-ja e paralajmëron dështimin e procesit të zgjedhjes së këshillave të fshatrave në Obiliq Arbëri LVV-ja e paralajmëron dështimin e procesit të zgjedhjes së këshillave të fshatrave në Obiliq

Përgjigje nuk kanë kthyer as zyrtarët komunalë të Obiliqit, pasi sipas tyre, kjo shkresë nuk u është dërguar atyre dhe se nuk kanë çka të shtojnë nga përgjigjet e mëhershme.

KOHA në muajin e kaluar ka raportuar se Lëvizja Vetëvendosje e kontestonte procesin e zgjedhjes së këtyre këshillave, pasi konsideronte se ishte shkelur Rregullorja përkatëse me mosformimin e komisonit të ankesave para se të fillonte zgjedhja e këtyre këshillave. Ndërkohë, zyrtarët komunalë kishin thënë se kanë marrë konfirmim nga MAPL-ja se mund të vazhdojnë tutje.