Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka bërë të ditur se komuna nuk ka të drejtë që me anë të Kodit etik të ju ndalojë zyrtarëve politikë ndërrimin e partisë pas zgjedhjeve lokale.
Në një përgjigje për KOHËN, zyrtarët e MAPL-së kanë komentuar Kodin etik që Kuvendi Komunal i Obiliqit e ka vënë në diskutim publik e në të cilin ndër të tjera parashihet edhe ndalesa për zyrtarët politikë që të ndërrojnë partinë pas zgjedhjeve.
“Zyrtari politik duhet të respektojë vullnetin e votuesve deri në fund të mandatit duke zbatuar programin politik, si dhe të shmangë ndërrimin e partisë gjatë ushtrimit të mandatit”, thekson dokumenti.
Por sipas MAPL-së veprimtaria politike e zyrtarëve s’mund të përcaktohet me Kod të etikës.
“Të gjitha institucionet, kanë të drejtë të hartojnë ‘Kodet e Etikës’ së institucionit. Gjithashtu edhe Komunat e Republikës së Kosovës, kanë të drejtë të hartojnë kodet e etikës, sa i përket sjelljeve etike të zyrtarëve të saj, por veprimtaria politike të drejtat dhe obligimet e anëtarëve të kuvendeve të komunave nuk përcaktohen me kod të etikës”, thuhet në përgjigjet e Divizionit për Komunikim Publik të MAPL-së.
Edhe
MAPL-ja e kualifikon joligjor dokumentin që e pati modeluar vetë për komunat
Sipas Ministrisë, bazuar në legjislacionin në fuqi, kandidatët për anëtar të kuvendeve të komunave, i nënshtrohen vetëm kodit të mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët neni 15 të ligji nr. 03/l-072 për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës.
“Pra, Komuna nuk ka të drejtë që më anë të kodit etik të ndalojë ndërrimin e partisë pas zgjedhjeve lokale. Veprimet e anëtarëve të kuvendit të komunës janë të pavarura dhe nuk i nënshtrohen ndonjë obligimi tjetër, jashtë rregullave të përcaktuar me ligj”, thuhet tutje në përgjigjet e Divizionit për Komunikim Publik të MAPL-së, zyrtarët e së cilës janë shprehur të gatshëm të ofrojnë përkrahje dhe ndihmë për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni në fuqi.
KOHA ka raportuar javën e kaluar se si Komuna e Obiliqit ka hartuar Kodin Etik për zyrtarët e saj, e që aty parashihet edhe ndalimi i ndërimit të partisë pas zgjedhjeve për zyrtarët politikë.
Kjo kishte nxitur reagimin edhe të Shoqërisë civile duke e konsideruar absurde një ndalesë të tillë.
Edhe
Obiliqi e modifikon nenin që e ndalonte ndërrimin e partisë
Në anën tjetër, zyrtarët komunalë kanë thënë se në rast se ky dokument vërtetohet se është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, janë të gatshëm që nenin 5 ose ta modifikojnë ose ta heqin nga Kodi Etik.