LAJMET E MBRËMJES

Komuna e Obiliqit synon që me Kod Etik t’ua ndalojë zyrtarëve politikë ndërrimin e partisë gjatë mandatit

Kodi Etik i Komunës së Obiliqit që synon t’ua ndalojë zyrtarëve politikë ndërrimin e partisë gjatë mandatit po kualifikohet në kundërshtim me çdo parim dhe standard vendor e ndërkombëtar. Në shoqërinë civile theksuan që në rast se dokumenti miratohet, atëherë duhet të shfuqizohet menjëherë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. E zyrtarët komunalë pretendojnë se Kodi është marrë si model nga komunat e tjera, porse, në rast se vërtetohet të jetë si kundërkushtetues, atëherë do të plotësohet ose të hiqet nga dokumenti

Kundërkushtetues është vlerësuar Kodi Etik për zyrtarët e Komunës së Obiliqit. Draftdokumenti, që është vënë në diskutim publik dhe që e parasheh rregullimin në shumë fusha që lidhen me punën e zyrtarëve publikë, e përmban edhe një nen me të cilin zyrtarëve politikë ua ndalon ndërrimin e partisë, pas zgjedhjeve.

Neni 5 i draft-Kodit, që flet për respektimin e vullnetit zgjedhor të qytetarëve, cek se zyrtarët politikë duhet të respektojë vullnetin e votuesve deri në fund të mandatit si dhe të shmangin ndërrimin e subjekteve politike gjatë ushtrimit të mandatit.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, e ka kualifikuar absurd tentimin që zyrtarëve të zgjedhur t’u imponohet qëndrimi në një parti, gjatë mandatit qeverisës.

“Së dyti, edhe më absurd është fakti që kjo tentohet të bëhet nga një kuvend komunal. Edhe më keq, kur kjo kamuflohet përmes një ‘Kodi Etik’. Së treti, ky kufizim, e në veçanti në raport me ekzekutivin lokal, bie ndesh me çdo parim dhe standard vendor e ndërkombëtar. Mandati i të zgjedhurve, të cilitdo nivel, është i lirë e nuk mund të kufizohet kaq lehtë”, ka thënë Cakolli.

Drejtoresha e Administratës në Komunën e Obiliqit, Lindita Bekteshi, ka arsyetuar se Komisioni, i cili e ka hartuar dokumentin, e ka marrë atë si model nga komunat e tjera që e kanë të përfshirë një nen të tillë.

“Nëse e shohim se është jokushtetues, atëherë ne e kemi një afat prej 30 ditëve, në të cilat presim komente, sugjerime nga ana e asamblistëve, qytetarëve, shoqërisë civile dhe nëse e shohim se diçka është e jashtëligjshme ose jokushtetuese, atëherë Komisioni duhet të ndërmarrë hapa, të cilët duhet ta largojnë ose duhet ta plotësojnë këtë nen”, ka thënë Bekteshi.

KOHA i ka pyetur zyrtarët në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nëse një kushtëzim i tillë për zyrtarët politikë paraqet shkelje ligjore, porse gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

Cakolli ndërkaq ka thënë që në rast se kodi miratohet, atëherë ai apo të paktën dispozitat kufizuese të tij duhet të shfuqizohen menjëherë nga MAPL-ja.