Arbëri

Xhezairi: Me çfarë të drejte ndërhyn Kurti te shqiptarët në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

Xhezairi

Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Seladin Xhezairi, ka komentuar në emisionin “Interaktiv” në KTV, mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për partinë shqiptare VLEN.

Xhezairi thotë se nëse kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti drejton gishtin nga Beogradi për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë, atëherë me çfarë të drejte ndërhyn te shqiptarët në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.

“Nëse me të drejtë Kosova e drejton gishtin nga Beogradi zyrtar për ndërhyje në procesin zgjedhor atëherë me çfarë të drejte e bën kryeministri i Kosovës me shqiptarët këtu në Maqedoni. Animi nga njëra palë natyrisht se nuk shikohet mirë nga pala tjetër dhe fjala është për të dyja palët shqiptare. Animi nga VLEN-i me automatizëm krijon një tension te opozita, fronti i këtushëm opozitar”, deklaroi Xhezairi

Sipas Xhezairit, Kurti, nuk ia arriti ta mposhtë partinë e Ali Ahmetit.

“Ai ishte kumbari i grupimit politik VLEN. Nuk ia doli të mundë partinë e Ahmeti dhe personalisht edhe Ahmetin. Për hir të së vërtetës, këtu mbase mund të ketë merita pikërisht Kurti në trashjen e miqësisë mes VRMO-DPMNE dhe grupimit politik VLEN por sa kohë që grupimi politik VLEN nuk e merr votën te shqiptarët, vështirë se këto tensione do të mund të hiqen nga rendi i ditës”, deklaroi Xhezairi.

Teksa partia në pushtet VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në bllokun politik shqiptar, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në komunën kyçe – Çair, e Bilal Kasami në Tetovë, gazetari Xhezairi, megjithatë thotë se është herët të flitet për pensionimin politik të Ali Ahmetit.

“Iset Mexhiti përsëriti Mickoskin i cili fillimisht pati deklaruar se është i interesuar për partinë e Ahmetit ta heqë nga skena politike më pas sikur e modifikoi këtë angazhim dhe kërkoi pensionimin politik të Ahmetit, njëjtë siç e bëri së fundmi Mexhiti, por, unë gjykoj se kjo retorikë apo ky angazhim i opozitës shqiptare ka për të vazhduar gjithnjë duke marrë parasysh këtë diferencën prej 20 mijë votash që janë në favor të BDI-së dhe të dyja aleancave të këtij koalicioni për shkak se zgjedhjet për komuna janë për kryetar të komunave e këtu te ne janë rezultati i pazareve apo thënë më mirë i marrëveshjeve edhe para zgjedhore mes kampeve të ndryshme. Në rastin konkret e kemi mbështetjen respektive të kandidatëve të VLEN-it në komunat si Tetova apo Struga nga VMRO-DPMNE-së”, ka thënë ai.

Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse pas rundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, më 19 tetor.

Partia do të ketë kryetarë komunash në 30 nga gjithsej 80 komuna, dhe pret që në rundin e dytë të fitojë edhe në rreth 20 të tjera, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, ku kandidati i saj, Orce Gjorgjievski, është në epërsi të madhe.

Ai tha se është i kënaqur, pasi numri i përgjithshëm i votave të fituara është më i madh se në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mëparshme.

Në bllokun politik shqiptar, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në komunën kyç – Çair, ndërsa Bilal Kasami në Tetovë. Në rundin e parë, koalicioni fitoi edhe në katër komuna të tjera.

Për Mexhitin, ky do të jetë mandati i tij i katërt si kryetar komune, dhe ai do të duhet të lërë postin aktual të ministrit pasi mundi ish-ministrin e BDI-së, Bujar Osmanin, i cili ia uroi fitoren.

Anëtarë dhe simpatizantë të VLEN-it e festuan, siç thanë ata, “fitoren bindëse në Çair dhe Tetovë” pranë monumentit të Skënderbeut në Çarshinë e Vjetër.

Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), e udhëhequr nga BDI, fitoi zgjedhjet për kryetarë komunash në Gostivar, Likovë, Çashkë dhe Plasnicë që në rundin e parë – njoftoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.