Arbëri

Kurti i gëzohet fitores së VLEN-it: Kosova e Maqedonia kanë thelluar raportet si kurrë më parë

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar koalicionin VLEN për fitoren në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë si një konfirmim të qeverisjes së mirë dhe të vullnetit për ndryshim te shqiptarët atje.

Në një shkrim në Facebook, Kurti ka theksuar se VLEN-i ka arritur rezultate historike, duke fituar në dhjetë komuna, përfshirë Çairin dhe Tetovën. Ai ka përgëzuar drejtuesit e koalicionit, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, për, siç tha, “fitoren me meritë dhe diferencë të thellë”.

“Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen, me diferencë të thellë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri në detyrë vlerësoi se suksesi i VLEN-it është “konfirmim i qeverisjes së mirë, i vullnetit për ndryshim dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut”.

“Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë dallim etik me qeverisjet e kaluara. Pikërisht kjo frymë e ndryshimit ka sjellë bashkëpunim të hapur dhe shumëdimensional mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë thelluar si kurrë më parë, duke përmendur bashkëpunimin qeveritar dhe menaxhimin e përbashkët të kufirit si shembuj konkretë të përparimit.

“Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoninë e Veriut si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, përfundoi Kurti.

Në zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut ishin dy blloqe kryesore të partive shqiptare. VLEN-i ka fituar më së shumti komuna. Ndërkoha koalicioni i Aleancës Kombëtare për Integrim, në të cilën ishte pjesë BDI-ja, fitoi në katër komuna.

Si rezultat i përgjithshëm, partia në pushtet, VMRO-DPMNE fitoi në 55 komuna, përfshirë Shkupin.

VLEN-i dhe VMRO-DPMNE janë në koalicion në nivel nacional, ku kryeministër është Hristijan Mickoski.

Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje patën përkrahur publikisht koalicionin VLEN edhe në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Maqedoni. Atë kohë, mbështetja ishte kritikuar nga analistë e parti të tjera duke u cilësuar si ndërhyrje në një shtet tjetër.