Komunarët e Obiliqit e kanë modifikuar nenin 5 të Kodit Etik për zyrtarët e komunës në të cilin ndalohej ndërtimi i partisë gjatë një mandati qeverisës për zyrtarët politik. Kjo është bërë pas raportimit të KOHËS gjatë muajit janar, kur edhe ishte në diskutim publik ky dokument. Në versionin që tash u është dërguar anëtarëve të Kuvendit Komunal, neni 5 i këtij Kodi kërkon nga zyrtari politik që t’i kryejë detyrat në përputhje me ligjin dhe mandatin e dhënë.
“Zyrtari politik duhet të kreyjë detyrat në përputhje me mandatin e dhënë nga ligji dhe të mbrojë interesin e përgjithshëm”, thekson neni 5, por që vazhdon të mbajë të njëjtin titull me versionin e parë “Respektimi i vullnetit zgjedhor të qytetarëve”.
Këtë version të këtij neni e ka Komuna e Prizrenit, e cila këtë dokument e ka miratuar në vitin 2020.
Ndërkohë në draftin e Komunës së Obiliqit që e kishte hedh në diskutim publik në muajin dhjetor të vitit të kaluar ishte formulim tjetër i këtij neni.
“1. Zyrtari politik duhet të kryejë detyrat në përputhje me mandatin e dhënë nga elektorati dhe të mbrojë interesin e përgjithshëm. 2. Zyrtari politik duhet të respektojë vullnetin e votuesve deri në fund të mandatit duke zbatuar programin politik, si dhe të shmangë ndërrimin e partisë gjatë ushtrimit të mandatit”.
Këtë version të Kodit Etik me përmbajtjen e njëjtë të nenit 5 e kishin miratuar edhe shumë komuna tjera. Për, Eugen Cakollin nga Instituti Demokratik i Kosovës, është absurde të tentohet që zyrtarëve të zgjedhur t’u imponohet qëndrimi në një parti politike përgjatë një mandati qeverisës.
“Së dyti, edhe më absurd është fakti që kjo tentohet të bëhet nga një kuvend komunal. Edhe më keq, kur kjo kamuflohet përmes një ‘kodi etik’. Së treti, ky kufizim, e në veçanti në raport me ekzekutivin lokal, bie ndesh me çdo parim dhe standard vendor e ndërkombëtar. Mandati i të zgjedhurve, të cilitdo nivel, është i lirë e nuk mund të kufizohet kaq lehtë”, ka thënë në muajin janar Eugen Cakolli.
Në anën tjetër, drejtoresha e Administratës në Komunën e Obiliqit, Lindita Bekteshi, kishte thënë se Komisoni i cili e ka hartuar këtë dokument e ka marrë si model nga komunat tjera, të cilat e kanë të përfshirë një nen të tillë.
“Nëse e shohim se është jokushtetues, atëherë ne e kemi një afat prej 30 ditëve, në të cilat presim komente, sugjerime nga ana e asambleistëve, qytetarëve, shoqërisë civile dhe nëse e shohim se diçka është e jashtëligjshme ose jokushtetuese, atëherë Komisioni duhet të ndërmarrë hapa, të cilët duhet të largojnë ose duhet të plotësojnë këtë nen”, kishte thënë ajo.
E jo ligjore këtë nen e kishin konsideruar edhe vetë Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, pavarësisht se ajo vetë e kishte draftuar Kodin Etik, të cilin ua kishte dërguar si model komunave për miratim.
“Komuna nuk ka të drejtë që më anë të kodit etik të ndalojë ndërrimin e partisë pas zgjedhjeve lokale. Veprimet e anëtarëve të kuvendit të komunës janë të pavarura dhe nuk i nënshtrohen ndonjë obligimi tjetër, jashtë rregullave të përcaktuar me ligj”, thuhej në përgjigjet e Divizionit për Komunikim Publik të MAPL-së.
KOHA e kishte dërguar sërish pyetje në adresë të Ministrisë se pse më herët e kishte vlerësuar të ligjshëm Kodin me përmbajtjen e nenit 5 që e ndalonte ndërrimin e partisë në disa komuna, ndërkohë që tash e konsideron joligjore një ndalesë të tillë, pastaj nëse vlerësimet e tyre nuk janë gjithnjë ligjore, por ndonjëherë edhe politike, etj., por nuk kishte marrë përgjigje.