Naim Rudari, avokat i njërit prej pjesëtarëve të Policisë në rastin e “Banjskës” ka konsideruar se mbyllja e seancave është e panevojshme. Kjo pasi seanca gjyqësore e së hënës për sulmin terrorist në Banjskë, u mbyll për publikun si shkak i mbrojtjes së dëshmitarit të mbrojtur A2.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Rudari tha se bazuar në ato parapraket, dëshmitarët po i ndërrojnë deklaratat në seancat e mbyllura duke dëshmuar rrejshëm.
“Me gjasë është edhe një dëshmitar anonim ndërsa të tjerët nuk janë anonim dhe janë dëshmitarë me identitet të njohur. Ne si përfaqësues të palës së dëmtuar konsiderojmë se është plotësisht e panevojshme që të mbyllen seancat. Seancat para kësaj janë mbyllur por nuk janë plotësuar kushtet ligjore. Mbase është pritur që dëshmitarët të japin dëshmi të mjaftueshme e të nevojshme për procesin gjyqësor por dëshmitari në seancën e mbyllur ka dëshmuar rrejshëm, duke mohuar gjithë deklaratën të cilën e ka dhënë si publike më parë”, deklaroi Rudari.
Avokati Rudari kujtoi se kishte parashtruar edhe kallëzim penal ndaj dy dëshmitarëve për dëshmi të rrejshme. E njëri prej tyre, Rudari pohon se i kishte thënë që ndjehet mirë nëse ushtrohet kallëzim penal ndaj tij sepse e konsideronte si krenari.
Tutje Rudari thotë se në rastin “Banjska” është duke u gjykuar vetëm 1/70 e pjesëtarëve pasi thekson se janë vetëm tre të akuzuar, ndërkaq mungojnë 42 persona që dihen me emër e mbiemër, por që gjenden në arrati.
“Rasti ‘Banjska’ është duke u gjykuar por është duke u gjykuar 1/70 pjesë do të thosha. I kemi tre të akuzuar por kemi 42 persona që dihen me emër dhe mbiemër me identitet të njohur që janë në arrati. Por ka edhe shumë persona të tjera të cilët në zhvillim e sipër kuptohet që janë të involuar direkt a indirekt në kryerjen e kësaj vepre penale. Ka shumë persona që dihet që kanë ikur në rroba civile. Kanë zhveshur rrobat në hotel dhe kanë lëvizur me rroba civile. Ka edhe të tjerë që kanë ndihmuar në çfarëdo rrethane që të vijnë grupi terrorist dhe të vendosen me arsenal të lartë ushtarak”, deklaroi Rudari.
Rudari thotë se do të duhej të fillohej edhe gjykimi në mungesë ndaj atyre pavarësisht që në Serbi janë të sigurt. Gjithsesi sipas avokatit Rudari, nevojitet medoemos presion më i madh nga ndërkombëtarët në kuptimin: dorëzoje ose gjykoje.
“Gjykata ka prova të mjaftueshme për të shpallur fajtorë tre të akuzuarit por i kemi vetëm tre sepse këtu nuk ka filluar gjykimi në mungesë. Unë personalisht kam kërkuar që të ketë gjykim në mungesë. Në fakt procesi ka filluar vetëm për tre të akuzuarit të cilët janë gjetur të plagosur e të armatosur që nuk ka asnjë mëdyshje që janë pjesë e atij grupit terrorist dhe nuk ka dilemë që të fillohet gjykimi në mungesë. Edhe faktori ndërkombëtar nuk ka bërë presion mbi Serbinë që ata persona t’i dorëzojë a gjykojë sepse ka një parim në drejtësi: dorëzoje ose gjykoje”, tha në emisionin “60 Minuta” në KTV, avokati Naim Rudari.
Sipas avokatit Rudari ka prova të mjaftueshme që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.
Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, janë arrestuar pas sulmit të kryer në Banjskë që është udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq. Nga ky sulm terrorist mbeti i vrarë ish-rreshteri, Afrim Bunjaku.