LAJMET E MBRËMJES

Ngrihet kallëzim penal ndaj katër personave për ndryshim deklaratash në rastin “Banjska”

Naim Rudari, avokat i policit të plagosur në Banjskë, Alban Rashiti, ka ngritur kallëzim penal kundër katër personave me dyshimin se kanë kryer veprën penale: deklarim i rremë dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të terrorizmit. Që të katër kanë qenë të punësuar në kompleksin “Ranjska Banja” në Banjskë dhe kanë qenë në vend të punës në natën kritike kur ka ndodhur sulmi

Deklarimet e rreme, ndihma në kryerjen e veprës penale të terrorizmit dhe dhënia e ndihmës kryesve pas veprave penale, janë disa nga dyshimet që e kanë shtyrë avokatin Naim Rudari që të bëjë kallëzim penal ndaj Rade Nedelkoviqit dhe Velko Iliqit, të cilët janë dëshmitarë të Prokurorisë në rastin “Banjska”, si dhe ndaj dy të tjerëve.

Rudari, i cili e përfaqëson policin e plagosur në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, Alban Rashiti, ka thënë se dëshmitarët janë të obliguar që ta thonë të vërtetën.

“Ata, përveçse kishin ndihmuar grupin terrorist që të strehohet në hotelin ‘Rajnska Banja’ në fshatin Banjskë, kishin premtuar se personat e armatosur (terroristët) do t’i evidentojnë si punëtorë të hotelit për t’i maskuar që të mos arrestohen. I kanë lejuar që t’u japin ndihmë të plagosurve në hotel e më pas, duke i zhveshur uniformat për t’i ndërruar me rroba civile, ua kanë mundësuar largimin nga fshati Banjskë. Kështu, këta ‘dëshmitarë’ kanë vendosur edhe në gjykim të DEKLAROJNË RREJSHËM, duke mbrojtur kriminelët me dëshminë e tyre e duke u munduar që të mohojnë ato që kishin deklaruar me parë”, ka thënë Rudari.

Avokati i policit Rashiti ka kërkuar që Prokuroria ta hetojë këtë rast, pasi ka thënë që hetimi do të sigurojë më shumë prova për personat që janë përfshirë në ofrimin e ndihmës së grupit terrorist që e ka ndërmarrë sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Përveç Nedelkoviqit dhe Iliqit, avokati Rudari ka bërë kallëzim penal edhe ndaj Marko Saviqit, drejtor i kompleksit “Ranjska Banja”, dhe ndaj Ivan Filimonoviqit, i cili është shef i recepsionit në hotelin e këtij kompleksi.

Dëshmitari Rade Nedelkoviq, i cili ka qenë rojë në kompleksin “Ranjska Banja”, në dëshminë e tij para trupit gjykues gjatë javës së shkuar ka thënë se nuk i kujtohet nëse i ka parë apo përmendur të akuzuarit Vladimir Andriq dhe Vladan Iliq në natën e sulmit.

Ky pretendim bie ndesh me dëshminë e dhënë më 15 maj të vitit të shkuar në Prokurorinë Speciale, kur Nedelkoviqi ka deklaruar se personat që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë janë Vladimir Andriq dhe Vladan Iliq.

Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se në të këtilla situata, Prokuroria duhet që t’i ballafaqojë dëshmitarët me deklaratat që i japin në prokurori dhe ato që i paraqesin para trupit gjykues.

“Në rastin Banjska ne kemi mundur të kuptojmë që pretendohet se disa dëshmitarë po i ikin deklaratës së dhënë ose me njërën formë nuk po e deklarojnë atë që e kanë deklaruar në Prokurori. Normalisht, Prokuroria, gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjatë rastit të marrjes në pyetje mund t’i ballafaqojë me këtë rrethanë, për t’i konfirmuar rrethanat të cilat i kanë dëshmuar në Prokurori dhe arsyet se pse nuk po i dëshmojnë të njëjtat që i kanë dhënë në fazën hetimore”, ka thënë Kabashi.

Sipas tij, në rastet kur dëshmitarët i ndryshojnë deklaratat, mund të jenë nën presion të dikujt tjetër.

“Personat në raste të caktuara kanë presion, kanë ndikime nga persona të caktuar në deklarimin ndryshe të asaj që kanë deklaruar në Prokurori, gjithsesi është obligim që t’i lajmërojnë Prokurorinë e Shtetit për rrethana të tilla”, ka thënë ai.

Seanca e 18 korrikut 2025 ka dështuar në mungesë dëshmitari anonim me kodin A2. Kurse, më 22 korrik janë dëgjuar dëshmitarët Halim Behramaj dhe Rade Nedelkoviq. E më 24 korrik, me kërkesë të prokurorit special, Naim Abazi, është mbyllur për publikun seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë - Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.

Prokurori Abazi ka propozuar që seanca të mbahet e mbyllur, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit Velko Iliq është e ndjeshme dhe se në të mund të përfshihen informacione për çështjen e sigurisë kombëtare, të strukturave paralele dhe të organizimeve të tyre ilegale në veri, meqë ajo është kryesisht e ndërlidhur me rekrutimin, organizimin, pagesat dhe kontaktet me strukturat e dyshuara ilegale.

Pas kërkesës për mbylljen e kësaj seance, Gjykata Themelore në Prishtinë i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse mund të aplikohet gjykimi në mungesë në rastin “Banjska”. Por Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin ‘Banjska’”, ka konstatuar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

Kësisoj, Themelorja e ka refuzuar propozimin që të vazhdojë në mungesë gjykimi për 42 të akuzuarit (41 persona fizikë dhe një person juridik) për sulmin terrorist në “Banjskë” dhe ka bërë të ditur se për të pandehurit është lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar dhe se priten ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës gjyqësore ndaj tyre.

Pos tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar lidhur me sulmin në Banjskë, Prokuroria Speciale më 11 shtator të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë edhe kundër Milan Radoiçiqit dhe 41 të tjerëve që janë në kërkim.

Të akuzuarit ngarkohen se nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar që ta shkëpusin pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, dhe që atë t’ia bashkojnë Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor, Afrim Bunjaku, dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë, si dhe e popullatës civile.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi, në të cilin, pos policit Bunjaku, janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërsa pjesa tjetër e tyre është larguar në drejtim të Serbisë, pasi paraprakisht është strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.