Arbëri

MAPL-ja hedh poshtë tri ankesa të grupit të këshilltarëve LB-AAK në Obiliq

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka hedhur poshtë tri ankesa të Grupit të këshilltarëve të LB-AAK në Komunën e Obiliqit, të cilët ishin ankuar rreth miratimit të një liste të pronave komunale për dhënie në shfrytëzim, për mospërfshirje të këtij grupi në Komitetin për Politikë dhe Financa dhe për renditjen e emrave të kandidatëve për kryesues. Në të tri këto ankesa, MAPL-ja nuk ka gjetur se janë bërë shkelje.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal sqaron se lista e pronave të paluajtshme që do të jepen në shfrytëzim afatgjatë nuk është e domosdoshme që të kalojë përmes Komitetit për Politikë dhe Financa. Ndërsa, dhënia në shfrytëzim të pronave të paluajtshme të komunës duhet të kalojë përmes Komitetit për Politikë dhe Financa ashtu siç përcaktohet me Ligjin për vetëqeverisje lokale, si dhe Udhëzimin Administrativ nr. 05/2020 për procedurën e themelimit, përbërjen dhe kompetencat e komiteteve të përhershme dhe komiteteve të tjera në komunë”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së, të cilën e ka siguruar KOHA.

Tutje në këtë përgjigje të MAPL-së shkruan se sa i përket renditjes së kandidatëve sipas alfabetit në procedurën për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit të Komunës, nuk është relevante për procesin.

“Është e drejtë e Kuvendit të Komunës ta përcaktojë renditjen. Po ashtu, edhe formimi i Komisionit komunal të aksionarëve të NPL ‘Kastrioti’ është kompetencë e Ministrisë së Ekonomisë”, shkruan në përgjigjen e MAPL-së.

Kjo ministri i ka hedhur poshtë edhe pretendimet për mospërfaqësim të Grupit LB-AAK në Komitetin për Politikë dhe Financa (KPF).

“Llogaritja e përqindjes së përfaqësimit të subjekteve politike në Komitetin për Politikë dhe Financa mbetet në përgjegjësinë e kryesueses së Kuvendit të Komunës së bashku me subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, ashtu siç përcaktohet me nenin 5, paragrafi 2 i Udhëzimit Administrativ nr.05/2020 për procedurën e themelimit, përbërjen dhe kompetencat e komiteteve të përhershme dhe komiteteve të tjera në komunë. Ligji nr. 03/L-040 për vetëqeverisje lokale nuk e parasheh formimin e grupeve të subjekteve politike”, thuhet tutje në përgjigje. “MAPL-ja është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”.

Por, me këtë vlerësim të MAPL-së nuk është pajtuar Grupi i këshilltarëve të LB-së dhe AAK-së. Këshilltari Xhelal Krasniqi nga AAK-ja ka thënë se ankesat nuk janë trajtuar konform ligjeve në fuqi.

“Si AAK jemi të pakënaqur me këtë vendim të MAPL-së, për faktin se dyshojmë që nuk është trajtuar me ndjeshmëri dhe komform ligjeve dhe rregulloreve të cilat janë obligative për të gjithë, e në këtë rast edhe për zyrtarët e komunës sonë. Si Grup AAK-LB do t’i shterim të gjitha mundësitë e tjera ligjore që këto vendime të rishikohen”, ka thënë Krasniqi.