Kuvendi i Obiliqit e kanë miratuar kërkesën e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme të Komunës për t’i kompensuar këshillat e fshatrave. Sipas propozimit të DAP-së, ky kompensim parashihet për një periudhë njëvjeçare, por ende nuk dihet vlera e kompensimit.
“Duke u bazuar në pikën 1 të nenit 16 të Rregullores KO (03) për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e komunës së Obiliqit, për kompensimin e kryetarëve të këshillave të fshatrave, kërkojmë nga ana juaj të nxirrni një vendim për pagesë për periudhë 1-vjeçare për të gjithë këshillat e fshatrave, nën kushtet e dispozitave ligjore në Rregullore”, thuhet në propozimin e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme.
Ky propozim, sipas drejtoreshës Lendita Bekteshi-Memishi, është miratuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal.
“Është dërguar në Kuvend dhe është votuar nga anëtarët e Kuvendit. Ndërkaq, shumën ende nuk e dimë për shkak se ka pas ndryshime nga ana e Ministrisë. Tash duhet të konsultohemi për me dit sa është shuma. Sa i përket sa persona, ne si komunë i kemi 12 zona apo 12 këshilla dhe ata që mbajnë takime dhe sjellin procesverbalin dhe listën e nënshkrimeve, sigurisht që do të paguhen”, ka thënë për Kohën Bekteshi-Memishi.