Reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin në komunikacion në disa vise malore të Podujevës. Zyrtarët komunalë njoftuan se kompanitë e kontraktuara po bëjnë përpjekje t’i pastrojnë rrugët nga bora.
"Nuk ka bllokim të ndonjë lagjeje apo fshati, të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe situata është nën menaxhim të plotë. Në disa zona sidomos në viset malore kanë më shumë vështirësi qarkullimi në komunikacion edhe atje kompanitë e pastrimit shpejt do të ndërhyjnë në hapjen e rrugëve", thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.
Sipas Komunës, shtabi emergjent është ngritur me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës.
Sipas të njëjtës, kompanitë e kontraktuara nga komuna për mirëmbajtje të rrugëve janë duke punuar me kapacitet të plotë.
"Shtabi emergjent është ngritur me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të kësaj situate dhe koordinimit mes institucionit të komunës me kompanitë punëkryerëse të mirëmbajtjes së rrugëve”.
Sipas zyrtarëve komunalë gjendja më e rënduar ka qenë në pjesën e Orllanit, por siç kanë thënë ata, pas intervenimit të kompanive situata është më e mirë.