Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes në komunikacion pasi në disa rrugë është vështirësuar qarkullimi shkaku i rënies së borës.
Policia ka kërkuar nga qytetarët të mbajnë distancën dhe të përshtatin shpejtësinë.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të shiut e të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë nga të reshurat e shiut dhe në rrugë të mbuluara me borë dhe me mundësi të paraqitjes së ngricave”, thuhet në apelin e Policisë.
Disa rrugë në Prishtinë janë bërë të pakalueshme shkaku i akullit. Po ashtu janë shkaktuar kolona në rrugën Prishtinë - Podujevë.
Komuna e Prishtinës në një njoftim publik ka thënë se ekipet janë në terren dhe “të përgatitura për të vepruar sipas nevojës”.
“Ju njoftojmë se ekipet tona janë në terren dhe plotësisht të përgatitura për të vepruar sipas nevojës, në funksion të sigurisë në rrugët e Kryeqytetit. Megjithatë, për shkak të temperaturave të ulëta, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat rurale dhe malore, ku ekziston rrezik nga ngricat dhe rrëshqitjet e rrugëve”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.