Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik pas fillimit të reshjeve të borës, pas atyre të shiut deri më tani dhe ngricave të mundshme në rrugë.
Policia ka apeluar që të mbahet distanca e sigurisë mes mjeteve, të përshtatet shpejtësia me kushtet e rrugës e të ngadalësohet gjatë ngasjes në rrugë me shi të mbuluara me borë e akull.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të shiut e të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë nga të reshurat e shiut dhe në rrugë të mbuluara me borë dhe me mundësi të paraqitjes së ngricave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Edhe Komuna e Prishtinës së fundmi ka publikuar një njoftim ku ka bërë thirrje për kujdes sidomos në trafik, pasi gjatë natës pritet të fillojnë reshjet e borës dhe temperaturat të bien nën zero gradë.
“Gjatë orëve të natës, reshjet pritet të shndërrohen në borë, fillimisht në zonat më të larta, e më pas edhe në viset më të ulëta. Temperaturat do të shënojnë rënie nga -2°C deri -4°C, ndërsa në zonat kodrinoro-malore (Gollak – Llap) deri në -6°C. Kujdes i veçantë rekomandohet: Gjatë qarkullimit rrugor, për shkak të rrugëve të lagështa dhe ngricave të mundshme; Për këmbësorët, sidomos në orët e mbrëmjes dhe të mëngjesit; Në zonat më të larta dhe periferike të Kryeqytetit”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Komunës së Prishtinës.