Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Komuna e Podujevës ka njoftuar se është shpallur gjendje emergjente për shkak të gjendjes së rënduar nga mbeturinat si pasojë e mospastrimit të tyre. 

Sipas njoftimit vendimi për gjendje emergjente vlen deri më 5 nëntor të këtij viti.

Kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, i cili është edhe kryesues i Shtabit Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë se janë bërë disa muaj që menaxhimi me mbeturina në qytet e fshatra është rënduar ndërsa ka shtuar se bëhet fjalë për keqmenaxhim nga menaxhmenti i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”.

Sipas tij, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” për shkak të pamundësisë për të ofruar shërbime në pjesën e përgjegjësisë së saj, më herët ka kërkuar që të lirohet nga shërbimi në fshatra dhe kjo përgjegjësi ka kaluar të Kompania private “Natyra”.

“Por, tash po del që ka probleme për të ofruar këtë shërbim edhe në qytet. Ka raste që operon me një kamion, e ka ditë që nuk ofron shërbim fare. Për shkak të kësaj gjendje që është krijuar, ku tash i kemi edhe mërgimtarët këtu dhe vëllimi i mbeturinave është rritur dhe duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve e kam marr një rekomandim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike që të shpallim gjendjen emergjente”, citohet të ketë thënë Bulliqi gjatë mbledhjes.

Bulliqi ka thënë se në vazhdimësi e ka ndihmuar KRM “Pastrimi” edhe me subvencione, në mënyrë që t’ia lehtësojë operimin dhe funksionimin normal, por pa sukses. 

“Vullneti jonë është që ta ndihmojmë këtë Ndërmarrje, por po shihet që ka keqmenaxhim nga menaxhmenti i kësaj Ndërmarrjeje në qendër. Për shkak të kësaj gjendjeje të rënduar, ne duhet të gjejmë një zgjidhje të shpejt për mbledhjen e mbeturinave në qytet”, ka thënë mes tjerash Bulliqi.

Bazuar në vendimin e kryetarit të Komunës, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim obligohet të hartojë dhe zbatojë planin operacional emergjent për organizimin dhe koordinimin e të gjitha masave emergjente për grumbullimin, transportimin dhe largimin e mbeturinave si dhe inicimin e procedurës së përshpejtuar të prokurimit për sigurimin e 3 kamionëve me qira për bartjen e mbeturinave, duke përfshirë edhe 3 vozitës, të cilët do të operojnë në kuadër të KRM “Pastrimi”.

“Pastrimi” i reagon Komunës së Podujevës: Tarifat s’kanë ndryshuar për gati dy dekada, operojmë me humbje

1 muaj më parë / 5 gus 2026 17:11
mbeturina

Foto: Ilustrim

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka shpallur gjendje emergjente për shkak të situatës së rënduar me mbeturinat. Bulliqi akuzoi “Pastrimin” për keqmenaxhim.  

“Pastrimi” ka thënë se Njësia Operative e Podujevës nuk ka hyrë në vështirësi financiare brenda natës, por ka kohë që punon me bilanc negativ. Ka thënë se arsyeja është se në Komunën e Podujevës nuk kanë ndryshuar tarifat për grumbullimin e mbeturinave që nga viti 2008. 

“Përkundër rritjes enorme të kostove të operimit, karburanteve, pjesëve rezervë, shpenzimeve për deponi, mirëmbajtjes, pagave dhe të gjitha shpenzimeve të tjera, tarifa vazhdon të jetë vetëm 4.70 euro me TVSH (rreth 3.8 euro neto)”, ka shkruar Pastrimi. 

“Pastrimi” ka thënë se asnjë ndërmarrje publike apo private nuk mund të funksionojë normalisht kur për gati dy dekada rriten kostot e të hyrat mbeten të njëjta. Ka thënë se Njësia e Podujevës asnjëherë s’ka arritur t’i mbulojë pagat e punëtorëve dhe shpenzimet operative vetëm nga të hyrat dhe se humbjet gjithmonë i ka mbuluar Prishtina. 

“Pastrimi” ka akuzuar po ashtu Komunën e Podujevës se nuk i ka përmbushur obligimet financiare ndaj ndërmarrjes për investimet e realizuara, përfshirë objektin e ri dhe kjo ka rënduar situatën. E po ashtu ka thënë se i janë marrë edhe konsumatorët. 

“Sot dëgjojmë nga Komuna se ndërmarrja është subvencionuar, sa është vlera totale e subvencionimit? Po shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Çfarë vlere kanë subvencionet kur në anën tjetër i merren ndërmarrjes klientët, inkasimi dhe mundësia për të gjeneruar të hyra? Është shqetësuese se po krijohet një krizë, e më pas, nën petkun e emergjencës, po hapet rruga për kontrata emergjente, angazhimin e operatorëve privatë dhe financimin e tyre me mjete publike. Ky nuk është një fenomen i ri. Fatkeqësisht, skenarë të ngjashëm janë parë edhe në komuna të tjera aksionare në KRM Pastrimi. KRM "Pastrimi" nuk do të lejojë që paaftësia për të adresuar problemet shumëvjeçare financiare të fshihet pas akuzave ndaj një ndërmarrjeje publike. Po ashtu, nuk do të lejojmë që punëtorët tanë të paguajnë çmimin e vendimeve politike”, thuhet në reagim. 

“Pastrimi” ka thënë se do të shfrytëzohen gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur ndërmarrjen, punëtorët dhe interesin publik. 

“Çdo vendim që cenon të drejtat e KRM "Pastrimi" dhe rrezikon ekzistencën e Njësisë Operative në Podujevë do të kundërshtohet në institucionet kompetente. KRM "Pastrimi" nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e kalkulimeve politike të askujt. Ne u shërbejmë qytetarëve, jo interesave politike. Në fund, shprehim shqetësimin e thellë sepse veprimet e fundit të Komunës së Podujevës rrezikojnë drejtpërdrejt vendet e punës dhe ekzistencën e Njësisë Operative në Podujevë. Nëse vazhdohet me këtë qasje, dhjetëra punëtorë dhe familjet e tyre do të mbeten pa PUNË dhe pa PAGA që ua garanton puna e tyre. Qytetarët meritojnë të vërtetën. Problemet e grumbulluara ndër vite nuk zgjidhen duke kërkuar fajtorë, por duke marrë vendime të drejta, të ligjshme dhe të qëndrueshme për të ardhmen e shërbimit publik. Në ditët në vazhdim do të publikojmë çdo raport financiar të detajuar ku përfshihen të hyrat, shpenzimet operative, si dhe pagat apo shpenzime të tjera!” – thuhet në reagim. 

Bulliqi ka thënë se Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” për shkak të pamundësisë për të ofruar shërbime në pjesën e përgjegjësisë së saj, më herët ka kërkuar që të lirohet nga shërbimi në fshatra dhe kjo përgjegjësi ka kaluar të Kompania private “Natyra”.

Bulliqi ka thënë se në vazhdimësi e ka ndihmuar KRM “Pastrimi” edhe me subvencione, në mënyrë që t’ia lehtësojë operimin dhe funksionimin normal, por pa sukses.

Bazuar në vendimin e kryetarit të Komunës, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim obligohet të hartojë dhe zbatojë planin operacional emergjent për organizimin dhe koordinimin e të gjitha masave emergjente për grumbullimin, transportimin dhe largimin e mbeturinave si dhe inicimin e procedurës së përshpejtuar të prokurimit për sigurimin e 3 kamionëve me qira për bartjen e mbeturinave, duke përfshirë edhe 3 vozitës, të cilët do të operojnë në kuadër të KRM “Pastrimi”.

E kompania “Natyra SHPK” ka bërë të ditur se është duke vazhduar pa ndërprerje pastrimin e mbeturinave në të gjitha fshatrat e Komunës së Podujevës, duke theksuar se ka trashëguar sasi të mëdha mbeturinash nga operatori paraprak.

Sipas një njoftimi të kompanisë, me vendimin e 24 qershorit 2026 ajo mori në operim 22 fshatra të Podujevës, ndërsa menjëherë nisi ofrimin e shërbimit, lidhjen e kontratave me qytetarët dhe grumbullimin e rregullt të mbeturinave.

Kompania njofton se më 17 korrik ka marrë edhe vendimin e Komunës së Podujevës për grumbullimin e mbeturinave në të gjitha fshatrat e komunës, ndërsa ekipet kanë dalë në terren që nga 18 korriku.

Sipas “Natyra SHPK”, gjatë marrjes së shërbimit është konstatuar një gjendje e rënduar në shumë fshatra, ku kishin mbetur sasi të mëdha mbeturinash nga operatori i mëparshëm.

"Pavarësisht kësaj gjendjeje, të gjitha ekipet tona janë të angazhuara çdo ditë, me të gjitha kapacitetet dhe pa ndërprerje, në largimin e mbeturinave dhe normalizimin e gjendjes në çdo fshat të Komunës së Podujevës", thuhet në njoftim.

Kompania thekson se për shkak të sasisë së madhe të mbeturinave nuk është e mundur që i gjithë territori të pastrohet brenda një periudhe të shkurtër, por procesi i pastrimit dhe lidhja e kontratave me qytetarët po vazhdojnë paralelisht.

“Natyra SHPK” ka sqaruar gjithashtu se gjendja emergjente e shpallur sot nga Komuna e Podujevës i referohet qytetit dhe jo zonës ku ajo ofron shërbimin.