Klinika e Onkologjisë ka bërë të ditur se ka furnizim të rregullt me ilaçin imunoterapeutik Keytruda (Pembrolizumab), porse ky ilaç u jepet pacientëve sipas indikacioneve të përcaktuara në Listën e Barnave Esenciale.
Onkologjia ka thënë se aktualisht në kuadër të kësaj liste, terapia u ofrohet pacientëve me kancerë të mushkërive me PD-L1 mbi 10%, në kombinim me kimioterapi, si dhe për pacientët me melanomë malinje të stadit III.
Një paciente me kancer të qafës së mitrës në shkallën e katërt, kishte treguar për KOHËN, se po përballet me mungesë të terapisë pembrolizumab, e cila kushton mijëra euro.
Pembrolizumabi është një ilaç imunoterapeutik që aktivizon sistemin imunitar për të njohur dhe luftuar qelizat kancerogjene.
Pacientja, e cila me këtë sëmundje po përballet prej më shumë se një viti, ka arritur t’i sigurojë privatisht katër seanca të kësaj terapie me një kosto të lartë.
“Deri më sot ia kemi dalë disi, tash nuk po mundem më. Deri sot gjithçka e kemi bërë privatisht, me rezonanca. Nëse kam pasur diçka krejt urgjente, është dashur t’i bëj privatisht, sepse te shteti s’kam mundur, pasi është dashur të pres deri në 6 muaj. Imunoterapinë e kemi siguruar, katër imunoterapi, 14 mijë euro i kam marrë. Tash më kanë sugjeruar prapë prej QKUK-së me i marrë edhe pesë imunoterapi po tash nuk mundem, prej nesër më kanë thënë me vazhdu me i marrë, po tash nuk kam mundësi, sepse që një vit gjithçka kemi bërë me çka kemi pasur takat”, ka thënë ajo në kushte anonimiteti.
E lidhur me rastin e pacientes në fjalë, Onkologjia ka thënë se ajo fillimisht ishte trajtuar me rrezatim dhe kimioterapi për kancerin e qafës së mitrës.
Edhe
Një paciente me kancer shpenzoi 14 mijë euro për terapinë që duhet ta sigurojë shteti
“Pas një periudhe kohore, sëmundja ka përparuar dhe janë paraqitur metastaza. Për këtë arsye, pacientja ka vazhduar trajtimin me kimioterapi, por sëmundja ka vazhduar të përparojë. Pas vlerësimit nga mjekët dhe testimit për PD-L1, pacientja fillon linjën tjetër, me kimioterapi dhe imunoterapi (Pembrolizumab), si mundësi e mëtejshme e trajtimit. Ky kombinim i barnave për rastin konkret, përjashtim Pembrolizumab, është ordinuar dhe marrë në Klinikën e Onkologjisë”, thuhet nga Onkologjia.
Onkologjia ka thënë se pacientes i ishin shpjeguar mundësitë e trajtimit dhe ishte informuar se medikamentin duhet ta sigurojë vetë.
“Pacientes i janë shpjeguar mundësitë e trajtimit dhe është informuar se medikamentin duhet ta sigurojë vetë. Me pëlqimin e saj, ajo ka vendosur ta fillojë këtë trajtim dhe i ka siguruar vetë barnat për dy ciklet e para. Pas këtyre dy cikleve, edhe përkundër terapive, sëmundja prapë avancon dhe ajo vendoset në trajtim paliativ me rrezatim (aktualisht). Theksojmë se mungesa e mbulimit të këtij indikacioni nga Lista e Barnave Esenciale nuk nënkupton mungesë të barit në Klinikë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Klinika e Onkologjisë ka pasur furnizim me Pembrolizumab dhe të gjithë pacientët që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në LBE e kanë marrë terapinë pa pasur mungesë të këtij medikamenti”, thuhet nga Onkologjia.
-
Prej dy muajsh mungon bari që kushton deri në 5 mijë €, QKUK-ja thotë se ka furnizim
-
Onkologjia e pranon se mungoi “Palbociclibi”, Vitia ftohet në interpelancë
-
Onkologjia e pranon se “Palbociclibi” mungoi për shkak të planifikimit përgjysmë në krahasim me numrin e pacientëve
-
Vdes pacientja me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi