Arbëri

Terrorizmi me motive nacionaliste, kërcënuesi kryesor për sigurinë e Kosovës

Në draftin e strategjisë shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit për pesë vjetët e ardhshëm, Qeveria e Kosovës ka identifikuar, grupet, organizatat dhe lëvizjet që promovojnë separatizmin, të cilat janë të fokusuara kryesisht në veriun e populluar me shumicë serbe. Sipas dokumentit, këto organizata herë pas here janë të predispozuara të ushtrojnë dhunë për arritjen e qëllimeve politike dhe për të provokuar incidente ndëretnike

Terrorizmi me motive nacionaliste përbën ndër kërcënuesit kryesorë për sigurinë e Kosovës, thuhet në draftin e Strategjisë së re shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizimit 2023-2028. Në dokumentin e hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, për të cilin kanë përfunduar konsultimet publike të premten, është evidentuar se grupet, lëvizjet dhe organizatat pa dallim kanë për qëllim të destabilizojnë situatën e sigurisë, rendin demokratik dhe kohezionin social. Referencë kryesore dokumenti ka raportet mes shqiptarëve dhe serbëve, përkatësisht synimet për të provokuar incidente ndëretnike.

“Sa i përket terrorizmit me bazë nacionaliste, me gjithë progresin që është bërë në marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Republikën e Kosovës, tensionet vazhdojnë të jenë prezente dhe ka grupe, lëvizje dhe organizata, të cilat herë pas here janë të predispozuara për të ushtruar dhunë për arritjen e qëllimeve politike, si dhe për të provokuar incidente ndëretnike, ndonjëherë me mbështetjen edhe të vendeve të treta”, shkruan në draftin e strategjisë. “Grupet, organizatat dhe lëvizjet që promovojnë separatizmin kryesisht kanë të bëjnë me zhvillimet politike nëpër të cilat ka kaluar Republika e Kosovës gjatë rrugëtimit të saj në procesin e shtetndërtimit dhe aktualisht është e fokusuar kryesisht në veri të vendit, por me tendencë të shtrirjes edhe në rajone të tjera të vendit”.

Përfaqësues të shoqërisë civile që kanë marrë pjesë në diskutimet për strategjinë thonë se vërehet një rritje e ekstremizmit të djathtë, prandaj Qeveria ka bërë mirë që e ka përfshirë këtë aspekt.

“Ky është njëri prej veprimeve të mira që është ndërmarrë në kuadër të kësaj strategjie për shkak se llojet e tjera të ekstremizmit në strategjitë e kaluara përveç atij që e ka prapavijën fetare, nuk kanë qenë mirë të adresuara. Ndërsa tash e shohim se ka rritje të këtyre grupeve me bindje ekstremiste që e kanë prapavijën dhe bazën në narracione nacionaliste. Po ashtu vërehet edhe një rritje e ekstremizmit të krahut të djathtë, jo ndoshta tipik të këtij krahu por narrativi që e kultivojnë këto grupe vërehet edhe në mesin e individëve dhe grupeve të ndryshme në Kosovë”, ka thënë Shpat Balaj, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). “Ato janë definitivisht një prej rreziqeve kryesore që i ka Kosova sa i përket ekstremizmit të dhunshëm dhe si të tilla e kërkojnë një përgjigje adekuate dhe një qasje strategjike për ta parandaluar dhe luftuar problemin në mënyrën e duhur”.

Sipas Balajt, në strategji nuk është e domosdoshme të përmenden emrat e organizatave me prirje të tilla.

“Megjithatë është e vështirë të vërehet se cilat janë këto grupe sepse janë disa individë që participojnë në veri sidomos në grupe të ndryshme. Prandaj është për t’u vlerësuar që është përfshirë dhe trajtohet në një mënyrë më të thellë. Ata që e motivojnë këtë lloj ekstremizmi në veri kanë edhe karakter shtetëror, po ashtu ka një rol edhe Kisha ortodokse serbe. Prandaj Kosova duhet ta ketë një qasje të dizajnuar mirë në mënyrë që mos t’i lejojnë këto grupe të përfitojnë terren dhe potencialisht ta destabilizojnë vendin”, ka potencuar Balaj.

Organizatat që dyshohen se ishin në veri

Megjithëse nuk përmenden në strategji liderët e shtetit që në disa raste i kanë theksuar organizatat që kanë qenë prezente në veriun e populluar me shumicë serbe, në periudhën kur protestuesit vendosën barrikadat në rrugë.

Në një intervistë për “The Telegraph” më 11 shkurt të këtij viti, presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se mercenarët e grupit rus “Wagner” po punojnë me paramilitarët serbë për të kontrabanduar armë dhe uniforma ushtarake pa stema në Kosovë. Sipas saj, ky operacion ka për synim të krijojë terrenin për një sulm të mundshëm hibrid të Serbisë për të marrë nën kontroll territor të Kosovës.

“Ata po sjellin armë dhe uniforma, por nuk janë pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj, pa e quajtur operacion ushtarak”, ka theksuar Osmani, duke mos ofruar dëshmi për këto pretendime.

Sipas saj, strategjia e Serbisë ka synimin e njëjtë me atë që përdori presidenti rus, Vladimir Putin, kur aneksoi paligjshëm Krimenë nga Ukraina.

“Nëse shikoni se çfarë bëri Putini më 2014, është krejtësisht e njëjta. Fillimisht, ai instrumentalizoi rusët që jetonin atje, mandej ai krijoi operacione të rreme dhe më pas ai dërgoi këto grupe paramilitare. Ka të dhëna të qarta se grupet paramilitare serbe po planifikojnë dhe organizojnë këtë. Sa ka qenë numri i tyre që ishin në kufi apo brenda, është diçka që ende po hetohet”, është shprehur Osmani.

E kryeministri Albin Kurti për gazetën holandeze NRC ka thënë në fillim të këtij viti se njerëzit që qëndruan në barrikada ishin sjellë me autobusë nga Serbia dhe ndër ta kishte edhe persona të maskuar të “Brigadës së Veriut”, “Grupit Wagner” dhe “Ujqërit e Natës”.

“Ne kemi prova se këta janë njerëz të maskuar me shenja të milicisë ruse Wagner, Ujqërit e Natës...”, ka thënë Kurti, dhe pati theksuar se nuk mund t’i publikojë provat meqë pozicioni nga i cili janë marrë fotot dhe videot mund t’i zbulojnë burimet e tyre.

Edhe në draftin e strategjisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme shkruan se ka tendenca për ta paraqitur Kosovën si inkubator për terrorizëm, teksa theksohet edhe lufta hibride.

“Aktivitetet e grupeve, organizatave dhe lëvizjeve me ndikim në Kosovë ndërlidhen edhe me kërcënimet hibride, përkatësisht me përhapjen e propagandës dhe dezinformatave me qëllim të dëmtimit të imazhit dhe interesave të Republikës së Kosovës. Nëpërmjet propagandës së tillë dhe publikimit të lajmeve të rreme, synohet rritja e pasigurisë tek qytetarët e vendit, krijimi i një klime të favorshme për destabilizimin e situatës së sigurisë dhe tendenca për ta paraqitur Republikën e Kosovës si inkubator për terrorizëm”, thuhet në draftin e strategjisë.

Rreziku nga ideologjitë islamike

Si kërcënim përmenden edhe ideologjitë islamike të përhapura në Kosovë nga vendet e Lindjes së Mesme.

“Niveli i kërcënimit të sulmeve të mundshme terroriste nga anëtarët e organizatave terroriste nëpërmjet luftëtarëve të huaj terroristë, celulat e fjetura ose nga simpatizantët dhe mbështetësit që mund të frymëzohen për të kryer akte terrorizmi mbetet i ulët, me tendenca të rritjes së tyre në prag të ngjarjeve/datave të rëndësishme, sidomos gjatë festave dhe ngjarjeve simbolike”, thuhet në draft-strategji. “Pavarësisht zhvillimeve në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe humbjes së kontrollit të territoreve nga organizatat terroriste, ideologjia e tyre terroriste vazhdon të jetë aktive, sidomos në platforma dhe aplikacione të ndryshme online, ku propaganda në mbështetje të organizatave terroriste përfshin përkthimet e materialeve të tyre propaganduese në gjuhë të ndryshme, duke përfshirë gjuhët e rajonit si dhe gjuhën shqipe”.

Një aspekt tjetër që vazhdon të ketë ende ndikim në përhapjen e ideologjive terroriste në Kosovë, konsiderohet mbështetja, frymëzimi dhe financimi i organizatave, grupeve, lëvizjeve dhe individëve të ndryshëm, nga aktorë të jashtëm shtetërorë dhe jo-shtetërorë.

Shpat Balaj vlerëson se Kosova ka përfituar eksperiencë të mirë në luftimin e terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm por gjithashtu në riintegrim dhe rehabilitim të atyre që janë prekur prej këtij fenomeni. Megjithëkëtë ai e sheh problematike fuzionimin e dy strategjive që deri tash kanë qenë të ndara – ajo për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe strategjia për luftimin e terrorizimit.

“Arsyeja pse e shoh si problematike deri në një masë është se hulumtimet e QKSS-së por edhe të organizatave tjera jo vetëm në Kosovë por në përgjithësi për kontekstin e ekstremizmit të dhunshëm, tregojnë që rezultatet më të mira në parandalim dhe luftim nuk arritën domosdo me mjete të sigurisë”, ka theksuar Balaj.

Sipas tij, ka disa masa e aktorë që jo domosdo e kanë prapavijën e sigurisë e që mund të kontribuojnë në mënyrë adekuate.

“Në anën tjetër, terrorizmi është një fenomen i cili bie puro në domenin e institucioneve të sigurisë. Kjo mund të krijojë njëfarë hutimi potencial për shkak se aktorët që janë jashtë institucioneve të sigurisë nuk është se kanë shumë bazë e mundësi për ta luftuar terrorizmin. Megjithëkëtë edhe ky problem është adresuar në grupet punuese dhe si i tillë ka gjetur një formë të zbatimit dhe sipas të gjitha gjasave do të jenë dy plane të veprimit që parashohin aktivitete dhe rolin e secilit në të dyja anët”, ka thënë Balaj.

Katër objektivat strategjike

Në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Kosova vlerësohet si një ndër shtetet më aktive në Ballkan për ndjekjen penale të individëve të dyshuar për kryerjen ose mbështetjen e aktiviteteve terroriste.

“Institucionet e zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë veprime konkrete në parandalimin dhe pengimin e aktiviteteve terroriste, sulmeve terroriste, hetimin, arrestimin dhe ndjekjen penale të personave për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë kryer ose po përgatiten të kryejnë vepra penale të terrorizmit dhe ato që lidhen me terrorizmin. Edhe në raportet ndërkombëtare, Kosova vlerësohet të jetë ndër shtetet më aktive në Ballkan për ndjekjen penale të individëve të dyshuar për kryerjen ose mbështetjen e aktiviteteve terroriste”, është vlerësimi që i përshkruhet Kosovës.

Bazuar në rezultatet e strategjive të mëparshme, si dhe në vlerësimet për pesë vjetët e ardhshëm, aktivitetet e institucioneve mbeten të përqendruara në katër objektiva strategjike: parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe reagimi.

Ndërkaq Koordinatori Kombëtar Kundër Terrorizmit, si institucioni kryesor koordinues për arritjen e objektivave, do të monitorojë treguesit e Strategjisë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit. Titullar i kësaj pozite është ministri i Punëve të Brendshme ose personi i autorizuar nga ai, i cili, në bazë të draftit ët Strategjisë, do të bashkërendojë, udhëzojë, monitorojë dhe raportojë për zbatimin e politikave, aktiviteteve dhe veprimeve në lidhje me këtë dokument.