Një ngjarje tragjike tronditi Kanadanë të martën. Një burrë i kërkuar për vrasjen e ish-partneres së tij dhe rrëmbimin e vajzës së tyre njëvjeçare në qytetin Brampton, është vrarë nga policia gjatë një operacioni në Niagara Falls.
Viktima, Savannah Kulla, 29-vjeçare dhe nënë e katër fëmijëve, për të cilën mediat në Shqipëri raportuan se ishte shqiptare, u qëllua për vdekje nga Anthony Deschepper, 38 vjeç, të martën pasdite në një parking. Menjëherë pas aktit, Deschepper rrëmbeu vajzën e tyre të vogël dhe u arratis nga vendi i ngjarjes.
Policia e Peel-it lëshoi një “Amber Alert” disa orë më vonë, dhe më pas konfirmoi se vajza ishte gjetur e sigurt, pasi ishte lënë me të afërm në rajonin e Niagara-s.
Operacioni për kapjen e Deschepper përfundoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në një pikë karburanti në Niagara Falls, ku ai u përball me policinë dhe u vra gjatë ndërhyrjes. Një armë zjarri që dyshohet se ishte e tij u gjet në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu, një grua që ndodhej me të në makinë u arrestua dhe po përballet me akuza që ndërlidhen me rastin.
Nga ky rast dhe kjo përballje me Anthony Deschepper, asnjë zyrtar i policisë nuk pësoi lëndime.
Familjarët e tashmë të ndjerës Savanna Kulla kanë konfirmuar për mediat kanadeze se ajo kishte kohë që përpiqej të largohej nga Deschepper, duke e përshkruar marrëdhënien si të dhunshme. Fëmijët e saj tani janë nën kujdesin e partnerit të saj të mëparshëm.
Nëna e Savannah-it, Karen, tha se kurrë nuk e kishte besuar se diçka e tillë do t’i ndodhte vajzës së saj. Ajo tregoi se vajza e saj e kishte përfunduar lidhjen me Deschepper-in së fundmi.
“Më thoshte gjithmonë – duhet të largohem prej tij. E vizitoi dhe i tha ‘ka mbaruar’, dhe këtë e bëri fundjavën që shkoi”, tha Karen.
Savannah kishte një vajzë me Deschepper-in dhe tre djem të tjerë me ish-partnerin e saj, i cili tani po kujdeset për të gjithë, shkruan media Thestar.
Ngjarja është cilësuar nga autoritetet si një rast i rëndë dhune në marrëdhënie intime, dhe po hetohet nga Policia e Peel-it dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Ontarios (SIU).