María është një figurë tragjike dhe magnetike. Udhëton mes pasioneve të forta, dashurisë dhe vetmisë, ndërsa përballet me tradhtinë dhe dhunën që e rrethojnë. Ngjarja zhvillohet në Buenos Aires por i flet kohës dhe secilit vend. Mexosopranoja Flaka Goranci pos rolit kryesor ka marrë edhe rolin e regjisores, skenografes e kostumografes për ta sjellë operën Ástor Piazzollas, me libret nga Horacio Ferrer. Tangoja është “kolonë zanore” e zbërthimit të një universi ku bashkëjetojnë ëndrra, fantazia dhe dhimbja.
Që hapësirat skenike në Kosovë nuk e njohin luksin e operave, është vërtetuar tashmë. Gjithsesi, ato që shfrytëzohen si të improvizuara, bartin doemos energjinë e kërkesës për art. Si përpjekje për ta bërë skenën të marrë frymë ndryshe, të martën është inskenuar opera tango “María de Buenos Aires” e kompozitorit argjentinas Ástor Piazzolla, me libret nga Horacio Ferrer dhe nën regjinë e mexosopranos Flaka Goranci, në bashkëpunim me institucionin e Operës së Kosovës. Shfaqja operistike që ka ardhur në kuadër të festivalit vokal ndërkombëtar të Prishtinës “PriVokalFest”, e ka shndërruar Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në një skenë ku tingulli, drita dhe kërcimi janë përzier me mishmashin e të ashtuquajturit amfiteatër. Meqë salla është e vogël dhe pa ndarje klasike të skenës, teksa nxitonin nga lart-poshtë për t’i zënë me kohë skenat e tyre, interpretuesit bishtnonin me nguti hapësirat zigzage të ulëseve të shtruara në audiencë.
Tingëllima hispanike është përjetuar nga afër në skenën e improvizuar, e cila ka sjellë për herë të parë një operë të këtillë të pazakontë. Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës, drejtuar nga dirigjenti Kushtrim Gashi, kanë sjellë tingujt melodikë të operës, të harmonizuar me bandoneon, instrumentin që ndërthur traditën operistike me ngjyrimet ritmike dhe nostalgjike të tangos.
Me të dalë në skenë instrumentistët e dirigjenti, nis muzika dhe atmosfera e sallës sjell misterin dhe surrealen e veprës. Skena është e thjeshtë, por e mbushur me simbolikë. Një rrugë e ngushtë e Buenos Airesit, me drita të zbehta që krijohen prej hijeve të ndërtesave koloniale. Maria shfaqet si një figurë enigmatike dhe e bukur, duke ecur mes rrugëve të qytetit me një fustan të kuq njësoj si karafili në flokë. Në anën tjetër, muzikantët e orkestrës japin ritmet sensuale dhe melankolike të tangos.
Elementet skenike janë minimale, një stol i thjeshtë, një derë e hapur, drita të ngjyrave të ngrohta që ndryshojnë sipas emocioneve të protagonistes, duke ia dhënë publikut ndjesinë se çdo gjë mund të ndodhë, që nga dashuria e pafat deri te rreziku i paparashikueshëm.

Orkestra e përbërë nga relativisht pak instrumente, ka përcjellë një ndjeshmëri të përqendruar. Pianoja e Artemida Qarrit dhe bandoneoni i Lothar Henselit kanë bartur ritmin dhe frymën e Buenos Airesit.
Pjesët ku reciton El Duende janë sjellë në shqip, ndërsa ariet dhe pjesët e tjera kanë ruajtur tingëllimën hispanike të origjinalit. Herë pas here, kërcimi tango i balerinës Fjolla Hana me koreografin Raul de Marr e kanë shndërruar skenën në një duel pasioni dhe trishtimi.
Në rolin kryesor si Maria është vetë regjisorja Flaka Goranci, mexosoprano, e cila ka bartur mbi supe edhe rolin e skenografes dhe kostumografes. Personazhin e El Duendes e ka interpretuar aktori Alban Goranci, duke i dhënë dimensionin poetik e rrëfimtar të veprës, ndërsa të dashurin e Marias, El Payador, e ka sjellë në skenë tenori Rizah Jahaj.
Interpretimi i aries më të famshme të operës, “Yo soy María”, bart fokusin e dritave tek alfa e grupit skenik, e cila gjendet e vetme në mes të skenës. Ajo lëviz ngadalë, por e sigurt, duke përdorur çdo pjesë të trupit për ta shprehur kompleksitetin e karakterit të saj. Në zërin e mexosopranos vërehet siguria e pacenueshme, e paprekshme në dukje. Por nuk mbetet e tillë. Pengesat teknike të zërimit e zbehin magjinë e krijuar nga interpretimi i pagabueshëm.
Në lidhje me tematikën dhe vështirësinë e veprës ka folur udhëheqësja e projektit, Flaka Goranci. Ajo ka thënë se me gjithë sfidat teknike dhe mungesën e një salle adekuate, është ndarë e kënaqur me punën e ekipit.

“Ka qenë pak sfiduese e gjithë kjo përvojë, në kuptimin që – unë e njoh si vepër, e di që është shumë e bukur, por në të njëjtën kohë është edhe jo shumë e lehtë kur e dëgjon për herë të parë, tematika si muzikë, patjetër që është shumë e bukur – është shumë filozofike, është edhe poetike, plus i ka disa lloje të ndërlidhura bashkë. I dimë të gjithë edhe kushtet tona që në një sallë si Salla e Kuqe të përshtatet për një operë nuk është siç mund ta ketë një teatër i operës, por me thënë të drejtën, jam shumë e kënaqur që gjithë ajo punë me një ekip prej 50 vetash ka pasur sot një rezultat shumë të mirë”, ka thënë ajo.
E sa i përket rolit të saj edhe si regjisore, skenografe dhe kostumografe, ajo e ka quajtur përgjegjësi shumë të madhe, si dhe ka theksuar faktin se për dy javë është inskenuar vepra.
“Mendoj se këtu ka qenë një përgjegjësi shumë e madhe, sepse nuk kam mundur të fokusohem vetëm në rolin tim. Jam fokusuar edhe se ku janë hyrjet, ku është kori, kush do të dalë, gjithmonë kam qenë nën kontroll që të dalë ky rezultat si i sotmi, i cili është në fakt në kohë rekord dhe ky është dallimi, që projektet operistike zgjasin katër deri në gjashtë javë, e ne i kemi pasur vetëm dy javë kohë”, ka shtuar mexosopranoja Goranci.
Ngjarja vazhdon duke ndjekur jetën e Marías si një figurë tragjike dhe magnetike. Ajo udhëton mes pasioneve të forta, dashurisë dhe vetmisë, ndërsa përballet me tradhtinë dhe dhunën që e rrethojnë.
Në skenë, valltarët dhe aktorët shpesh përdorin lëvizje që përforcojnë tensionin emocional dhe sensualitetin e tangos, ndërsa dritat bien e ngrihen për t’i theksuar momentet kryesore të dramës.

Pjesët e interpretuara nga Maria dhe nga El Payador kanë qenë në spanjisht. Publiku ka pasur para syve edhe një monitor me titra në shqip, me germa të vogla e të shtypura horizontalisht, që rreshtat e fundit në sallë zor se kanë arritur t’i lexojnë. Ndryshe nga to, rrëfimi i narratorit El Duende ka qenë në shqip, në mënyrë që publikut t’ia ofrojë një mundësi më të mirë për ta procesuar kuptimin e thellë që bart vepra. Përveç kësaj, mexosopranoja Goranci ka shpjeguar se disa pjesë që kanë qenë në formë monologu, recituar nga vetë ajo në gjuhën shqipe, i ka shtuar te pjesa origjinale e operës.
“Ky është diçka tjetër, është tekst imi, të cilin jam munduar ta sjell si koncept timin në këtë premierë. Kam shkruar vetë, kam interpretuar vetë, duke qenë se e kam lidhur me temën e femicidit që ndodh në ‘Maria de Buenos Aires’, i njohur si fakt në Buenos Aires në atë kohë, por edhe sot në botë, jam munduar ta sjell një histori të vogël, mes rreshtash por edhe direkte të një rasti ndoshta në Kosovë, ose edhe në vendet e tjera të femicidit”, ka thënë ajo për zërat e shtuar te skenat ku ndërmjet Marías dhe El Payadorit krijohet një ndjesi e tensionuar përballë personazheve të tjera, që përfaqësojnë të fortit dhe të rrezikshmit e qytetit, tregues të botës së ashpër urbane.
Në aktin final, Maria duket se humb përfundimisht midis pasionit dhe fatkeqësisë, ndërsa muzika e Piazzollas arrin kulmin dramatik, me kontraste midis instrumenteve të tangos dhe orkestrës. Muzika e orkestrës është shkrirë natyrshëm me zërin e Flaka Gorancit, që ka lëvizur mes fuqisë dhe brishtësisë, ndërsa bandoneoni, luajtur nga Lothar Hensel, ka përshkuar çdo skenë me tingujt e tij me ngarkesë malli e sensualiteti. Harmonia e kujdesshme mes dritës, tingullit dhe pranisë njerëzore, i ka dhënë veprës një jetë të veten në skenën e Prishtinës.
Dirigjenti Gashi ka treguar se brenda 12 ditësh është arritur të inskenohet gjithë kjo operë, që sipas tij, nuk është parë më herët në skenën muzikore të Kosovës.
“Është ndryshe natyrisht për ne që gjithë kohën jemi të ngarkuar me prova, me atë që të arrijmë rezultatin sa më të mirë, por unë, edhe pse i kthyer me shpinë prej publikut, unë e ndjeva që publiku e ndjeu këtë operë që është një muzikë, por edhe si lloj teatri, drame ndryshe prej operave klasike që jemi mësuar t’i dëgjojmë zakonisht. Ishte shumë sfiduese, e para, me prova kemi filluar goxha vonë, këtë çka e patë, e gjitha është arritur për 12 ditë”, ka treguar ai.

Skema e dritave dhe hijeve krijon ndjesinë e një qyteti që e përtyp individin, por edhe një univers ku bashkëjetojnë ëndrra, fantazia dhe dhimbja. Skenografia shpesh kombinon elemente reale dhe abstrakte: murale, dritare të shndritshme dhe elemente lëvizëse që i japin jetë dhe ritëm të pandërprerë Marías.
Narratori El Duende me zë misterioz dhe shpesh ironik udhëheq publikun përmes botës së Marías. Nuk është thjesht tregues i ngjarjes, por një figurë poetike që ndërthur realitetin me fantazinë, shpesh duke komentuar, parashikuar ose thelluar tragjedinë e personazheve. I sjellë në jetë nga Alban Goranci, veshur në mënyrë të ekzagjeruar, ai duket si një qenie shpirtërore që lëviz lehtësisht mes hijeve. Zëri i tij i thellë dhe dramatik, me rrëfim në shqip, përkon me ritmet e orkestrës dhe tangos, duke krijuar një ndjesi të çuditshme dhe hipnotike. Ai i jep publikut një këndvështrim të jashtëm mbi jetën e Marías.
Ndonëse pjesa e narratorit ka qenë në shqip, aktori Alban Goranci e ka konsideruar të komplikuar, me një gjuhë të thellë simbolike.
“Për shkak se ka një gjuhë shumë të detajizuar, gjuhë shumë të thellë simbolike, shpirtërore e psikologjike që ngërthen shpirtin latin, mes shumë kurioziteteve, mistereve që ndoshta janë të ndërlikuara edhe të zbërthehen. Nëse do të kishte qenë në gjuhën spanjolle, atëherë ndoshta do të ishte dashur më shumë kohë që ta zbërthej e ta mbaj në mend, por edhe si tekst shqip ka qenë mjaft i komplikuar, për shkak se nuk ka një logjikë siç jemi mësuar t’i kemi në tekstet e tjera që i kemi hasur”, ka thënë ai.
Bandoneonisti që ka ardhur nga Gjermania, Lothar Hensel, ka treguar se është mirënjohës ndaj punës intensive të produksionit të veprës.
“Për mendimin tim ka qenë një performancë e mrekullueshme, sepse kemi punuar shumë dhe njerëzit nuk dinin asgjë për muzikën tango dhe e kanë dhënë më të mirën për të luajtur kaq mirë. Edhe produksioni ishte i mrekullueshëm, për një kohë kaq të shkurtër. Në kushte normale, në Gjermani do të duheshin tre muaj, e këtu e kemi realizuar për dhjetë ditë, andaj e konsideroj shumë të mirë”, ka krahasuar ai, duke shtuar se bashkëpunimi me dirigjentin ka qenë i përsosur, meqë kanë komunikuar në gjermanisht.

Pianistja Artemida Qarri ka theksuar se loja në piano ka qenë shtylla dhe baza ritmike e harmonike brenda orkestrës.
“Shpresoj që është pëlqyer nga publiku, duke qenë se ka edhe këto ritmet e ngrohta të pasionit, të dashurisë. Piazzolla e ka bërë këtë ndërthurjen më të mirë të mundshme, për ta shprehur dashurinë e pasionit përmes fjalës, muzikës dhe interpretimit dhe shfaqjeve me gjestikulacione. Roli i pianos ka qenë një rol mjaft i rëndësishëm, ka qenë shtylla dhe baza ritmike e harmonike, duke qenë se vetë pianoja si instrument e ka rolin shpeshherë edhe të orkestrës”, ka thënë pianistja.
Publiku që mezi ka zënë vend, ka pasur mundësinë ta shijojë për gati dy orë performancën.
Dardana Goranci, dizajnere ka konsideruar se ngjarja ka qenë e veçantë dhe me laramani.
“M’u duk që ishin shumë ngjarje me një kohë që ishte goxha e gjatë, por ishte diçka tejet e veçantë, kishte laramani, kishte skena të njëpasnjëshme dhe asnjëherë nuk dukej monotone. Kjo ishte gjithçka që jepte një magji që nuk është parë më herët këtu. Kur luhet një operë, duhet të ketë një sallë shumë të mirë, mirëpo ndodhin edhe gjëra që janë jashtë krejt asaj që është dashur të jetë në mënyrën më të mirë të mundshme, pjesa teknike ndodh që mund të ketë edhe ngecje”, ka thënë ajo.
“Maria de Buenos Aires” ka pasur edhe një reprizë të mërkurën, për ta shënuar kështu edhe mbylljen e festivalit “PriVokalFest”.