Në prag të përgatitjes për privatizim të Telekomit, partitë në pushtet, me theks të veçantë AAK-ja e kryeministrit Ramush Haradinaj po i dërgojnë në masë militantët partiakë për t’i punësuar. KTV-ja ka disa javë që po raporton për të gjitha punësimet, me konkurs e pa të, të dhjetëra familjarëve të njerëzve në pushtet.
Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së
Nga korriku i vitit 2018, Hajdar Sutaj, që është edhe sekretar i përgjithshëm i AAK-së, u mor me këshillimin e kryeshefit të Telekomit.
Ish përfaqësuesi i AAK-së në KQZ
Binak Vishaj, për vite me radhë, ka mbrojtur interesat e AAK-së brenda Komisionit Qendror Zgjedhor, por meqë mandati i këtij institucioni është bllokuar, ai ka gjetur punë në Telekom, që po mbikëqyret e menaxhohet nga njerëzit e partisë së tij.
Vajza e ish zv.ministrit të FSK-së
Ne gusht të vitit 2018, edhe një fëmijë i një zyrtari tjetër të AAK-së u punësua në këtë ndërmarrje publike. Hana Mehmetaj është e bija e ish-zëvendësministrit të FSK-së, Brahim Mehmetajt, i cili aktualisht është drejtor i Pronës në Komunën e Prishtinës. Ajo aty punon nga 1 gushti i viti të kaluar, në pozicionin e shumë militantëve të tjerë - zyrtare e shitjes.
Motra e asistentes së kryeministrit
Vetëm shitëse i shkruan në përshkrimin e punës, Erza Osmanit. Ajo është punësuar në Telekom nga 25 qershori i vitit 2018 dhe është motra e asistentes kryesore të kryeministrit Haradinaj, Bezi Osmani.
Kunata e kryeministrit Haradinaj
Pozitë shumë të rëndësishme brenda Telekomit ka marrë muajin e shkuar Vesmira Haxhaj-Haradinaj, kunata e kryeministrit Ramush Haradinaj. Ajo ka marrë kontratën si zëvendësdrejtoreshë e Financave nga 22 shkurti dhe ka rrogë rreth 2200 euro. Vetë kryeministri ka pranuar se mund të ketë pasur ndikim indirekt në punësimin e kunatës së tij në Telekom.
Djali i deputetit Muharrem Nitaj, Genci është punësuar më 28 gusht të 2018-s si zyrtar i marketingut në Telekom. Nitaj ka mohuar se ka përdorur autoritetin e tij për ta punësuar të birin, por ka thënë se djali i tij ka kualifikim më të lartë se pozita që mban.
Telekomi u bë strehë punësimi edhe për individë afër pensionimit. Shaqir Qerimi, pak pa i mbushur 60 vjet, u punësua si agjent i shitjes. Ai është vjehrri i deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Bashkëshortja e Mërgim Lushtakut
Pak muaj pas punësimit të Shaqir Qerimit, në Telekom si drejtoreshë e Auditimit u punësua e bija e tij, Shehidja. Ajo është bashkëshortja e deputetit Lushtaku.
Bashkëshorti i Donika Kadaj-Bujupit
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, po ashtu ka të punësuar familjarë në Telekom. Nga 1 gushti i 2018-s, Naser Bujupi, bashkëshorti i saj, u punësua si agjent shitje në Telekom. Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj është jurist dhe për 20 vjet ka qenë i papunë.
Djali i Teuta Haxhiut
Në mesin e familjarëve të pushtetarëve që janë punësuar në Telekom është edhe i biri i deputetes tjetër të AAK-së, Teuta Haxhiu. Ilirian Haxhiu tash është pjesë e stafit të punëtorëve të Telekomit, ndërsa deputetja ka thënë se s’ka pasur rol në punësimin e tij.
Nënkryetar i parë i AAK-së, Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës, në Telekom ka të punësuar rejën. Doruntina Gashi, e fejuara e ministrit Lekaj, në tetor të vitit 2018 u punësua si zyrtare e shitjes. Sipas ministrit, ajo u punësua me forcat e veta “ngase po të kishte ndikim, ai do ta përdorte autoritetin e tij për ta punësuar nusen në ministrinë që udhëheq”.
Motra e Bekë Berishës
Edhe deputeti tjetër i AAK-së, Bekë Berisha, ka të punësuar familjarë në Telekom. Motra e tij është pjesë e Telekomit. Deputeti është gjendur edhe në një telashe tjetër. Ai dyshohet se në malet e Dukagjinit është aksidentuar me një veturë të Telekomit, të cilën nga marsi i 2018-s e ka vozitur bashkëshortja e tij, Besa Shatri-Berisha, që është kryesuese e Bordit të Telekomit.
Anëtari i Bordit të Drejtorëve të Telekomit, Osman Ejupi, në qershor të vitit të shkuar për një muaj kishte punësuar katër fëmijët e tij. Që të gjithë janë të punësuar si agjentë të shitjes, rroga e të cilëve sillet rreth 800 euro. Pak ditë pasi ky skandal shpërtheu, Ejupi dha dorëheqje.
(Ish)-bashkëshortja e Argjend Zejnajt
Argjend Zejnaj është njeriu më i besueshëm i Lekajt dhe, në aferën e punësimeve, është rreshtuar krah shefit. Më 13 dhjetor të 2018-s, Albulenë Bekteshi-Zejnaj u punësua në Telekom si zyrtare e shitjes. Megjithatë, vetë Argjend Zejnaj ka thënë për KTV-në se tashmë kanë ndarë rrugët e jetës me Albulenën.