Pozitë shumë të rëndësishme brenda Telekomit, ka marrë muajin e kaluar Vesmira Haxhaj - Haradinaj.
Zëvendësdrejtoresha e re e Financave në ndërmarrjen publike, është kunata e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj – gruaja e vëllait të tij, Frashër Haradinaj, raporton KTV.
Ka disa javë që ajo është parë në punën e saj të re, por KTV-ja ka mundur të vërtetojë se ajo e ka marrë kontratën nga 22 shkurti, kurse në sistem ka hyrë vetëm brenda kësaj jave.
Ani pse rroga e saj prej rreth 2,200 eurosh, është pak më e vogël se e kunatit-kryeministër dhe e barasvlershme me atë të kunatit tjetër, deputetit Daut Haradinaj, ajo është vënë në këtë pozitë pa u shpallur fare konkurs.
Në një intervistë për KTV-në, në qershor të vitit të kaluar, Haradinaj kishte thënë se njerëzit e Aleancës nuk kishin guxuar as të konkurrojnë për vende pune në kohën që kjo parti ishte në opozitë.
Edhe
Haradinaj premton pagë mesatare 1100 euro dhe pensione 500 euro që në vitin e parë të qeverisjes
Kohavisioni ka dërguar pyetje edhe te Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nëse ai ka përdorur autoritetin e tij për ta punësuar kunatën në Telekom, por Kryeministria nuk ka kthyer përgjigje.
Përgjigje për këtë emërim apo punësim nuk ka dhënë as menaxhmenti i Telekomit, pavarësisht që televizioni ka pritur dy ditë për përgjigje.
Kontakti me Haxhaj-Haradinajn, zëvendësdrejtoreshën e re të Financave, ka qenë i pamundur.
Punësimi i saj e shton listën e gjatë të të punësuarve me nepotizëm, në valën e madhe të punësimeve në Telekom, të nisur nga shkurti i vitit 2018, pak muaj pasi që AAK-ja e mori pushtetin.
Edhe
Murati: Pa buxhet të miratuar, vështirësitë financiare do të përcillen edhe në 2026-n
Pikërisht pas raportimeve të vazhdueshme të KTV-së, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet për këto punësime.
Prokuroria, gjithashtu, ka konfirmuar se tashmë janë marrë dokumentacione nga zyrat e Telekomit, në shërbim të këtyre hetimeve.