Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, mbajti një takim konsultativ për çështjen e presidentit të ri, por tri partitë kryesore të opozitës (PDK, LDK, AAK) e refuzuan pjesëmarrjen. PDK dhe AAK kërkojnë fillimisht konstituimin e Kuvendit, ndërsa LDK kërkoi takime direkte me Albin Kurtin. Pas takimit me partitë në pushtet dhe të komuniteteve, Haxhiu bëri thirrje të diskutohet për emra konkretë për një kandidat konsensual jopartiak që të shmangen zgjedhjet e reja, duke paralajmëruar gjithashtu një takim direkt mes VV-së dhe LDK-së

Haxhiu paralajmëron takimin VV-LDK për presidentin

1 muaj më parë / 18 gus 2026 10:36
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se së shpejti do të mbahet një takim mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit.

Pas takimit me partitë parlamentare, pa përfshirjen e opozitës, Haxhiu u shpreh se është njoftuar nga kryetari i VV-së se do ta ftojë së shpejti në takim LDK-në.

LDK-ja e refuzoi pjesëmarrjen në takim duke thënë se e konsideron Haxhiun vetëm si deputete. Ajo kërkoi takim direkt me Kurtin. Ndërsa dy partitë tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca po kërkojnë njëherë konstituimin e Kuvendit para diskutimeve për çështje të tjera.

“Kemi qëndrim të LDK-së për president konsensual. Le të fillojmë të flasim me emra të përveçëm për një kandidat konsensual, që s’është në ndonjë parti politike. Kryetari i VV-së e përsëriti se nuk do që të ketë kandidat nga VV-ja. Uroj që takimet me partitë të vazhdojnë dhe të ndodhin shumë shpejt. Sipas njoftimit që na dha Kurti, me LDK-në do të ketë takim shumë shpejt. Por uroj që këtyre takimeve t’u bashkohen edhe partitë tjera politike, jo të refuzojnë sepse refuzimi s’çon në marrëveshje. Qytetarët presin kuvend, qeveri e president”, ka njoftuar Haxhiu në konferencën për media pas takimit.

LDK-ja është partia e vetme që ka negociuar me Kurtin. Ditë më parë, kjo parti njoftoi se ka hequr dorë nga marrëveshja politike dhe ka kërkuar president konsensual jopartiak.

Haxhiu: Të nisim të flasim me emra për president

1 muaj më parë / 18 gus 2026 10:26
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që partitë politike të nisin të flasin me emra për kandidatura për president.

Pas takimit me liderë të partive politike që iu përgjigjën ftesës për takim, Haxhiu ka shprehur keqardhje që partitë opozitare refuzuan takimin.

Ajo ka thënë se pas qëndrimit të Lidhjes Demokratike që pranon president konsensual, ka “ardhur koha që të fillojmë të flasim me emra të përveçëm për një kandidat konsensual, e që s’është i ndonjë partie politike”.

Tek ka komentuar kërkesën e opozitës që fillimisht të ketë konstituim të Kuvendit dhe më pas të diskutohet për Qeverinë e presidentit, Haxhiu ka thënë se “pas gjithë këtyre muajve nuk kemi nevojë të hamendësojmë se çka sjell mungesa e marrëveshjes”.

“E kemi parë disa herë. E dimë ku na çon mungesa e dialogut apo refuzimi i takimeve. Kam dëgjuar qëndrime e partive të pranishme. Të gjitha ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes së presidentit dhe patjetër të shmangen zgjedhjet e parakohshme. S’pres që partitë të pajtohen për gjithçka. Pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër”, ka thënë Haxhiu në konferencë për shtyp.

Ajo tutje ka thënë se Vetëvendosje i ka votat për kryeparlamentar e Qeveri, por sipas saj prioritet është presidenti për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Prandaj çështja që duhet ta trajtojmë me seriozitet është ajo që e mban të bllokuar perspektivën institucionale të vendit – pra çështja e presidentit. Kurti e theksoi se i ka votat për kryeparlamentar dhe Qeveri. Dhe çështja është te marrëveshja për presidentin. Mund të jetë si çështje në rend të tretë – konstituimi, qeveria dhe presidenti - por është prioritare sepse mund t’i bëjmë të dyja dhe të mos kemi marrëveshje për presidentin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme e panevojshme”, ka thënë Haxhiu “Jam e bindur se qytetarët duan që partitë të ulen e jo të refuzojnë takime e të paraqesin kërkesa në shpërputhje me fuqinë politike të tyre apo kundërshtim me vullnetin e popullit por të ulen të flasin për çështjet e presidentit”.

Çitaku komenton takimin e Haxhiut: Fotografi e një partie të papërgjegjshme

1 muaj më parë / 18 gus 2026 09:50
Vlora Çitaku

Photo: Driton Paçarada

Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, ka komentuar takimin që ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, po e mban me liderë të partive në pushtet dhe të komuniteteve.

Haxhiu pati ftuar të gjitha partitë për t’u konsultuar për çështjen e presidentit. Por ajo u refuzua nga tri partitë shqiptare opozitare – PDK, Lidhja Demokratike dhe Aleanca.

E Çitaku në Facebook e ka komentuar takimin e Haxhiut vetëm me pjesëtarë të partive që udhëheqin institucionet.

“Fotografia e një partie politike të papërgjegjshme, nën dirigjimin e një individi, që i ka kapur institucionet, po e mban shtetin peng dhe po e përdor pushtetin për interesa politike, në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës. Vendin e keni në Kuvend, aty ku duhet ta materializoni vullnetin e qytetarëve dhe ta konstituoni Kuvendin. Ju presim sot, në orën 11:00, në Kuvend!” ka shkruar Çitaku në Facebook.

“Takim konsultativ” i pushtetit për presidentin

1 muaj më parë / 18 gus 2026 09:05
Albulena Haxhiu takim

Photo: Driton Paçarada

Ndonëse ishin të ftuar të gjithë liderët e partive parlamentare “takimi konsultativ” për çështjen e presidentit, takimi i organizuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë përgjigje negative nga tri partitë opozitare shqiptare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca i kanë thënë “jo” ftesës së Haxhiut për të martën, me fillim nga ora 9. Në takim, ndërkaq janë parë duke hyrë përfaqësues të partive në pushtet – si pjesë e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, pjesë e së cilës është edhe Haxhiu. Po ashtu edhe përfaqësues të partive të komuniteteve pakicë.

Në ftesë, Haxhiu i kishte ftuar liderët e partive në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes. Aty theksohej se bëhet fjalë për ftesë për “një takim konsultativ në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht edhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.

PDK-ja dhe Aleanca qysh të shtunën e refuzuan pjesëmarrjen në takim. Sipas tyre, ftesa e Haxhiut ka qenë tentativë manipulimi për afatet. 

“Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër (kryesuesit të seancës konstituive, Avni) Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgojë Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, pati thënë deputeti Uran Ismaili në një konferencë për shtyp.

Po ashtu, edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e pati refuzuar atë ditë kërkesën e Haxhiut për takim, e edhe të Kurtit, i cili po ashtu ka ftuar liderët e subjekteve politike për t’u takuar, me synimin që të gjejnë një kandidat apartiak e konsensual për president.

“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtorë për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka shkruar Gjini në Facebook.

Të hënën, përgjigje të ngjashme dha edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo parti ka thënë se e konsideron Haxhiu në këtë fazë vetëm si një nga deputetet e Kuvendit. Megjithatë, kjo parti ka thënë se mbetet e hapur të bisedojë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“LDK-ja nuk merr pjesë në takimin e thirrur nga zonja Haxhiu, pasi konsiderojmë se ajo është vetëm një nga deputetet e Kuvendit të Kosovës. Ne jemi të hapur të bisedojmë me kryetarin e LVV-së, z. Albin Kurti, që sa më shpejt ta zhbllokojmë situatën politike në vend, duke i ofruar Kosovës president”, thuhet në përgjigjen e LDK-së.

Haxhiu i ftoi partitë në takim, pasi LDK-ja hoqi dorë nga kërkesat për marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje për formim të institucioneve. Kjo parti ka kërkuar që presidenti të jetë konsensual dhe jopartiak.

Megjithatë, kundërshtimet e opozitës lidhen me mosmbajtjën e seancës konstituive të Kuvendit. Deri tash deputetët janë ftuar dy herë për ta konstituuar legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.

Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me aleatët e saj nga radhët e komuniteteve, ka mjaftueshëm vota për ta konstituuar Kuvendin e edhe për ta votuar Qeverinë. Por, për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para. Në rast se zgjedhja nuk mund të bëhet brena 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.

Partitë nuk i janë afruar zhbllokimit të ngërçit politik qe gati dy vjet. Kosova është në cikël të vazhdueshëm krizash që prej zgjedhjeve të shkurtit 2025. Fillimisht pati telashe për konstituim e më pas dështimi për të formuar qeverinë çoi në zgjedhje të dhjetorit. Pas tyre pati konstituim, por nuk pati zgjidhje për presidentin e ri. Më 7 qershor pasuan zgjedhjet e reja.