Arbëri

Sveçla: Spastrim etnik në Luginë të Preshevës, Serbia të ndëshkohet nga faktori ndërkombëtar

Xhelal Svecla

Foto: Arkiv

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur se Serbia po bën spastrim etnik ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke thënë se po ua shkel të gjitha të drejtat elementare.

Ai ka shkruar në Facebook të hënën se kjo duhet të ndalohet menjëherë dhe të ndëshkohet nga faktori ndërkombëtar. Sveçla ka shkruar se në konkursin e fundit të policisë në Serbi, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe në Bujanoc, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar.

“10% e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve dhe mbi 50% prej tyre janë nga radhët e komunitetit serb. Në 3 proceset e fundit, të veçanta për komunitetet, janë inkuadruar 210 pjesëtarë të rinj nga po ky komunitet. Në konkursin e fundit të policisë në Serbi, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc asnjëri nuk është shqiptar. E po ashtu nga 22 policë sa janë në Medvegjë, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar”, ka deklaruar ministri në detyrë.

Ai ka shtuar se qasja e Kosovës është për integrim e bashkëpunim me qytetarët e komunitetit serb.

“Kjo dëshmon qasjen tonë për integrim e bashkëpunim me qytetarët e komunitetit serb që jeton në Kosovë ndërsa Serbia çdo ditë e më shumë po shpërfaq qasjen e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që në thelb ka spastrimin etnik të tyre. Ky spastrim etnik që Serbia po ua bën në çdo formë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke ua shkelur rrjedhimisht çdo të drejtë elementare të tyre, duhet ndëshkuar e ndalur menjëherë nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka reaguar pas publikimit të listave nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, në lidhje me konkursin e fundit për policë.

Kryetari i këtij Këshilli, Enkel Rexhepi ka thënë se është sinjal alarmant dhe dëshmi e qartë e diskriminimit serb ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, pasi asnjë shqiptar s’është zgjedhur polic i ri.

 “Në listën e fundit të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, nga 43 kandidatë të pranuar në konkursin për policë, nuk është pranuar asnjë shqiptar. Po ashtu edhe në Medvegjë nga 22 polic, asnjë shqiptar”, ka shkruar Rexhepi në Facebook.

Ai theksoi se nga viti 2002 deri në 2004 u arrit të përfshihen një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në polici.

“Por që nga ajo kohë, dhe për më shumë se një dekadë – nuk është pranuar asnjë shqiptar i ri në stacionet policore në Luginë”, thuhet në reagimin e Këshillit.

 “Sipas të dhënave që disponon Këshilli Kombëtar Shqiptar, nëse ky trend vazhdon, me daljen në pension të kuadrove aktuale dhe me mospranimin e policëve të rinj, shumë shpejt do të kthehemi në gjendjen e vitit 2001, kur shqiptarët ishin plotësisht të përjashtuar nga policia dhe institucionet e tjera shtetërore”.

Rexhepi ka shtuar po ashtu se mospërfshirja e shqiptarëve në polici nuk është vetëm padrejtësi, por është shkelje e marrëveshjeve dhe rrezik për bashkëjetesën.