Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova i kërkon BE-së e SHBA-së ndihmë për shqiptarët në Luginë

Kosova i kërkon BE-së e SHBA-së ndihmë për shqiptarët në Luginë

Kosova i ka kërkuar BE-së dhe SHBA-së të bëjnë presion ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka alarmuar për diskriminimin që u bëhet shqiptarëve të Luginës, ndërsa ka thënë se Serbia ka bllokuar mbi 2 milionë euro të ndara nga Kosova për projekte atje

Kosova ka kërkuar ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare që Serbisë t’i bëhet presion për të respektuar të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në një takim në Prishtinë me rreth 70 përfaqësues politikë dhe të organizatave civile të shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Bujanoci, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve atje, duhet të dinë edhe Brukseli e Washingtoni, dhe çdo institucion që e vlerëson Serbinë për standarde demokratike dhe për të drejta të njeriut.

Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës do të luftojë për ta ndërkombëtarizuar diskriminimin sistematik të Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës dhe që Serbinë ta bëjë përgjegjëse para ndërkombëtarëve.

“Po kërkojmë nga Bashkimi Evropian që ai t’i kërkojë Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim, atë që vetë Evropa e konsideron themelore: sundim të ligjit, barazi, mosdiskriminim, dhe mbrojtje efektive e pakicave. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë mbështetjen. Është përgjegjësi e jonë kombëtare, që shqiptarët nga këto treva të jenë sa më të barabartë me qytetarët e Kosovës kur vijnë këtu. Që të ndërtojmë mekanizma të qëndrueshëm që e mbështesin jetën shqiptare atje ku ajo zhvillohet çdo ditë. Dhe që diskriminimin sistematik ndaj tyre ta dokumentojmë, ta ndërkombëtarizojmë dhe ta bëjmë pjesë të përgjegjësisë së Serbisë para partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë Kurti, tek ka bërë thirrje që Serbia të zhbllokojë mjetet e ndara të Qeverisë së Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Luginë.

Kurti ka thënë se për Kosovën, Lugina dhe Sanxhaku janë përgjegjësi e përhershme politike, institucionale dhe kombëtare. Ai ka thënë se shqiptarët në Serbi përballen me diskriminim, duke nisur nga nënpërfaqësimi në polici, në gjyqësor, në administratë, në punësim, por edhe me pasivizimin e adresave, përdorimin e gjuhës shqipe dhe në qasjen e pabarabartë në institucione publike.

Tek ka folur për diskriminimet që Serbia ua bën shqiptarëve të Luginës, Kurti ka thënë se nuk mjafton që “ne ta dimë se ekziston diskriminimi”.

“Duhet ta dijë edhe Brukseli, Washingtoni e  Strasburgu. Dhe çdo institucion që e vlerëson Serbinë për standardet demokratike dhe për të drejtat e  njeriut”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se shtypja e Serbisë shihet edhe me gjuhën dhe sjelljen e politikanëve. Ai ka kujtuar se javën e shkuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vizitoi në Luginë vetëm vendbanimet me shumicë serbe, duke përdorur gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve, dhe duke premtuar për punësim nga BIA për 48 orë.

“Dhe ky kontrast është i rëndë. Kur shqiptari kërkon punësim në institucionet publike, përballet me barriera dhe nën-përfaqësim. Kur dikush përdor gjuhë përçmuese ndaj shqiptarëve, dëgjon premtim për punësim. Ky është tregues i klimës. Është mesazh. Është mënyra se si shqiptaret e këtyre viseve e përjetojnë shtetin”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, Kosova po punon në tri rrafshe për t’u qëndruar pranë shqiptarëve të Luginës.

Në rrafshin e parë, Kurti ka thënë se Kosova ka siguruar trajtim të barabartë për qytetarët që vijnë nga Lugina e Preshevës. “Synimi ynë është që qytetari shqiptar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, kur vjen në Kosovë, të ketë sa më pak barriera dhe sa më shumë barazi”, ka thënë Kurti në takim.

Te pika e dytë ai ka përmendur linjat buxhetore të ndara nga Qeveria e Kosovës për shqiptarët e Luginës, mbështetjet me tekste shkollore e parashkollore në gjuhën shqipe, si dhe bursat për studentët e gjimnazistët.

Në rrafshin e tretë, tek ka folur për avokimin ndërkombëtar, Kurti ka thënë se shumë nga problemet e shqiptarëve të Luginës nuk zgjidhen vetëm me mbështetje financiare. Megjithatë, ai ka thënë se sivjet Serbia ka bllokuar dy transfere financiare në vlerën prej mbi dy milionë eurosh për 136 projekte dhe organizata për shqiptarët e Luginës.

Duke thënë se gjithçka me këto mjete ka qenë transparente dhe se dihet nga vijnë e ku po përfundojnë, Kurti ka thënë se Serbia ka përgjegjësi institucionale për pengesat e shkaktuara.

Shqiptarët e Luginës ka vite që janë ankuar për diskriminim e pengesa nga shteti serb. Një prej pikave që theksohet vazhdimisht nga përfaqësuesit politikë atje është ajo e pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Përfaqësuesit e Luginës dhe shteti i Serbisë kanë arritur tri marrëveshje ndër vite për mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por se ato nuk janë zbatuar.

Integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore është pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2022.