Mbi 1 milion e 850 mijë euro ka ndarë Qeveria e Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës, në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur të mërkurën. Kryeministri Kurti bëri thirrje që Serbia të mos pengojë ndihmën financiare që Kosova bën për bashkëkombësit e saj
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula javën e kaluar, është zgjidhur nyja e konstituimit të institucioneve. Sipas tij, që nga viti i shkuar, institucionet janë përballur me bllokada.
“Vendi ynë pas shumë kohësh ka kohën dhe mundësinë të merret me punë e projekte, zhvillim e punësim e t’i kthehet arsyes pse ekziston, shërbimit ndaj qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Këto deklarime, Kurti i bëri në fillim të mbledhjes së kabinetit qeveritar, në të cilën u shqyrtuan e miratuan disa vendime.
Në mesin e tyre edhe ajo për ndarjen e 1 milion e 852 mijë e 350 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi.
Kurti tha se kjo përkrahje bëhet në mënyrë që shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të kenë mundësi të jetojnë, arsimohen dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendin e vet.
Ai tha se Serbia është duke e shtrirë diskriminimin ndaj shqiptarëve, duke bllokuar në mënyrë të përsëritur mbështetjen financiare nga Kosova.
“Beogradi duhet t`i japë fund kësaj praktike diskriminuese, të drejtat e shqiptarëve nuk varen nga vullneti i autoriteteve serbe për t`i respektuar dhe përkushtimi ynë për t`i mbështetur nuk do të zbehet nga përpjekjet që bëhen për t`i penguar këto”, ka theksuar ai.
Mjete financiare në vlerë prej 275 mijë eurosh u ndanë edhe për renovimin e shtëpive, njësive të banimit të komuniteteve joshumicë në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, atë për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë, si dhe për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Në këtë mbledhje është emëruar edhe Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore "Kompania për Menaxhimin e Deponive" Sh.A..