Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Studentët e “Kadri Zekës” kërkojnë të mos ulen kriteret për bursa

Foto: Ilustrim

Studentët në Gjilan nuk janë duke u pajtuar me vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit “Kadri Zeka” i cili ka zbutur kriteret e bursave për vitin akademik 2019-2020.

Studentët kërkojnë që si kriter për përfitimin e bursës të jetë nota mesatare 8.5 dhe 9, i cili kriter është i drejtë për një student i cili është i dalluar përgjatë një viti akademik.

Sipas tyre, kjo zbutje e kritereve nuk është e drejtë ngase në këtë mënyrë përfitojnë studentët që s’janë të dalluar, raporton Koha.net.

Studentët pakënaqësinë e tyre e kanë shprehur brenda hapësirave të Universitetit duke kërkuar nga Këshilli Drejtues që të merren parasysh ankesat e tyre.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Dritor Mehmeti, deklaron se kriteret për bursat nuk duhet të ndryshohen nga vit në vit meqë nuk është në të mirën e studentëve dhe të ngritjes së cilësisë. Ai thotë se Universiteti ka fond të mjaftueshëm për ndarjen e bursave të cilat duhet të jenë të dinjitetshme dhe me kritere.

“Këshilli Drejtues ka marrë vendim që si kriter për bursë të jetë nota mesatare 8.0 në fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe në fakultetin e Edukimit, kurse 8.5 në fakultetin Juridik dhe Ekonomik. Kjo për ne është e papranueshme dhe kërkojmë që kriteret të jenë ashtu siç janë në Universitetet e tjera publike. Edhe në Universitetin tonë kërkojmë që kriter për bursa të jetë nota mesatare 9.0 në fakultetin e Edukimit, Juridik, Ekonomik kurse 8.5 të jetë në fakultetin e Shkencave Kompjuterike. Për çdo vit ka ndërrim të kritereve dhe shuma asnjëherë nuk ka qenë stabile”, ka thënë ai.

Edhe Rreth 200 studenteve iu refuzua aplikimi për bursë 1000-euroshe Arbëri Rreth 200 studenteve iu refuzua aplikimi për bursë 1000-euroshe

Edhe studentët pajtohen se nuk duhet të ketë ulje të kritereve sa i përket përfitimit të bursave.

“Mendoj se është bërë një lëshim sepse ulja e notës mesatare do të paraqet rritje të numrit të bursisteve. Kurse ne po kërkojmë që të respektohen kriteret dhe të kemi një bursë të dinjitetshme për studentët e dalluar”, ka thënë studenti Jasmin Aliti.

Kurse studentja Adelina Ajeti deklaron se studentët e dalluar nuk duhet të trajtohen në këtë mënyrë. “Jemi mbledhur si bursistë që të tregojmë që jemi kundër sepse na prek në dinjitet neve si studentë. Vitin e parë ka qenë 9.5 për marrjen e bursës ndërsa tash kushti është që nota mesatare të jetë 8.5. Është ulje e kriterit minimal për të marrë bursën. Për këtë arsye mendojmë se cilësia në këtë rast nuk është në nivelin e duhur nëse ka ulje të kritereve”, ka thënë ajo.