Prej vitesh, Ministria e Arsimit ndan bursa prej 1000 eurosh për vajza e gra që studiojnë për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë. Sivjet, kriter është vënë kalimi i së paku dy provimeve. Por, mbi 200 aplikacione u refuzuan, për arsye që lidhen me dokumentin që dëshmon notat.
Egzona Mema
Plotësimi i kushtit për kalimin e së paku dy provimeve nuk i mjaftoi një studenteje të vitit të parë që ta përfitojë bursën në vlerë 1000 euro që u dedikohet vajzave dhe grave, të cilat studiojnë për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë.
Krahas kësaj studenteje, Komisioni vlerësues që funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit, ua refuzoi aplikacionet edhe rreth 200 aplikanteve të tjera, me arsyen se iu ka munguar faqja e dytë e transkriptës së notave.Në Ministrinë e Arsimit arsyetuan vendimet e komisionit, duke thënë se në atë faqe ka të dhëna relevante.
“Faqja e dytë e transkriptës së notave është pjesë përbërëse e dokumentit origjinal dhe ka rëndësi thelbësore për vërtetimin e autenticitetit të tij. Në këtë faqe gjenden data e lëshimit të pasqyrës së notave, nënshkrimi i Dekanit, nënshkrimi i zyrtarit përgjegjës dhe vula zyrtare e Institucionit të Arsimit të Lartë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
Për studentet që u është refuzuar aplikacioni për bursë, ka mundësi ankese, e cila mund të shtrohet përgjatë afatit shtatëditor.
“Në rastet kur studentët, së bashku me ankesën e tyre, bashkëngjisin faqen e dytë të pasqyrës së notave dhe dokumentacioni plotëson kushtet e përcaktuara në thirrjen publike, Komisioni për Ankesa mund të vlerësojë pozitivisht raste të tilla”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se kjo teknikë e selektimit e përfitueseve të bursave nuk është e duhur.
Edhe
Bursa për nxënësit me rezultate të mira që zgjedhin profile deficitare
“Konteksti dhe qëllimi i bursës është inkurajues dhe jam shumë i bindur që të jetë Ministria fleksibile karshi çdo dështimi ne aplikim, në mënyrë që askujt mos me iu ndalu qëllimi i mirë që e ka bursa. Vitet në vijim shpresoj që të mos kthehet në vëmendje të aplikimit, por të jetë vëmendja në përftimin që e marrin studentet në STEM”, ka thënë Qehaja.
Nga thirrja për bursat STEM, përfituan 599 studente që kanë përfunduar vitin e parë në fushat: Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë.
Ndryshe nga vitet e tjera kur kusht për bursën prej 1000 eurosh ishte dëshmia se ke regjistruar studimet në këto fusha, sivjet Ministria hapi thirrjen tek pas përfundimit të semestrit të parë dhe notimit, me arsyetimin për të mënjanuar keqpërdorimet.