Arbëri

Dy shkolla në Gjilan, tash e 9 vjet punojnë me orar të shkurtuar

Qëkur objekti i Shkollës së Mjekësisë në Gjilan u shndërrua në universitet, procesi mësimor në objektin ku kjo shkollë tani e ndan me shkollën ekonomike zhvillohet me orar të shkurtuar. Ka nëntë vjet që këto dy shkolla përballen me mungesë të hapësirave, e sipas nxënësve e stafit kjo situatë ka dëmtuar cilësinë e mësimnxënies e të mësimdhënies. Për këtë situatë, Drejtoria e Arsimit në Gjilan ka zgjedhur të heshtë

Themelimi i universitetit “Kadri Zeka” e ka shpërngulur në një objekt me hapësirë të vogël shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” dhe shkollën e mesme ekonomike “Marin Barleti”.

Tash e nëntë vjet, këto dy shkolla procesin mësimor e zhvillojnë në tri ndërrime, derisa ora e mësimit zgjat 30 minuta.

Ky shkurtim i orarit u ka shkaktuar probleme në zhvillimin e plan-programit mësimdhënësve, e nxënësve ngecje në mësimnxënie.

Nxënësja e shkollës së mjekësisë, Mihrije Ramadani, ka thënë se shpeshherë mësimdhënësit nuk kanë kohë as për vlerësimin e nxënësve.

“Kjo ndikon shumë negativisht në procesin e mësimit, për shkak të mungesës së kabinetit, kemi edhe ngecje në mësim që nuk mundemi me pas një cilësi të duhur për arsim”, ka thënë nxënësja e klasës së dymbëdhjetë.

Si pasojë e mungesës së hapësirës, këto dy shkolla nuk posedojnë kabinete. Shumë pajisje të dhuruara nga donatorët për shkollën e mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” nuk po përdoren, pasi nuk ka askund hapësirë për t’i vendosur ato.

Drejtori i kësaj shkolle, Shaban Tërstena, ka thënë se një karrige stomatologjike e dhuruar nga një stomatolog po qëndron në dhomën e stafit teknik, pasi nuk ka hapësirë për ta vendosur dhe as për ta instaluar në një vend të përshtatshëm për t’u përdorur nga nxënësit.

Nxënësja Mihrije Ramadani tregoi se bashkë me moshatarët e saj kanë fituar një projekt nga UNICEF-i për të themeluar një laborator, porse nuk po kanë hapësirë për ta implementuar. Ajo shpjegoi se kanë kërkuar ndihmë edhe nga Komuna e Gjilanit, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

Që krejt kjo situatë e ka hendikepuar procesin mësimor, e pranoi edhe drejtori i shkollës së mjekësisë. Tërstena shtoi se është rritur interesimi i nxënësve për t’u regjistruar, prandaj ndërtimi i një objekti të ri është më se i nevojshëm.

"Është një shkollë jo vetëm e Gjilanit, por edhe e regjionit, sepse i gjithë regjioni i Anamoravës këtu arsimohet në aspektin e edukimit të mesëm të shëndetësisë. Në përgjithësi mendoj se është në interes të përbashkët që të gjendet një formë, një zgjidhje”, ka thënë Tërstena. Ai shtoi se për zgjidhje afatshkurtër janë të gatshëm të ndërrojnë objekt derisa të ndërtohet i riu.

Të gatshëm ta lirojnë objektin për shkollat e mesme u shprehën nga universiteti “Kadri Zeka”. Objekti i universitetit ndodhet në kampusin e shkollave të mesme, krahas shkollës së mjekësisë dhe ekonomisë.

Vaxhid Sadriu, sekretar i përgjithshëm në Universitetin e Gjilanit, ka thënë se ky institucion duhet të zhvendoset në një kampus të veçantë.

“Do të kishte qenë zgjidhja ideale në qoftë se ne transferohemi në një ambient që i plotëson kushtet për kampus të universitetit dhe ky objekt të lirohej për shkollat e mesme. Kjo është mirë edhe për komunën, mirëpo komuna duhet ta bëjë një zgjidhje patjetër”, ka thënë ai.

Për problemet në zhvillimin e procesit mësimor, Drejtoria e Arsimit në Gjilan nuk ka komentuar. Drejtoresha e DKA-së, Selvete Sylejmani, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS, nëse është duke u punuar në një plan për sigurimin e hapësirave për institucionet arsimore.

Në vitin 2017 ishte nënshkruar një vendim nga Qeveria që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, ku ishte vendosur që universiteti “Kadri Zeka” të zhvendosej tek objekti i Kazermës së Forcës së Sigurisë të Kosovës, ndërkaq Shkolla e Mesme e Mjekësisë të rikthehej në objektin e vjetër. Sipas Sadriut, ky plan nuk është opsion më, pasi nuk kanë gjetur mirëkuptim nga ana e FSK-së.