Arbëri

Studentë të Veterinës ankohen se UP-ja po i privon nga e drejta për bursa

Kriteret e vendosura nga Universiteti i Prishtinës për përfitimin e bursave janë vlerësuar diskriminuese nga studentë të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Për shkak se disa nga programet e këtij fakulteti janë ndër më të ngarkuarat sa i përket numrit të provimeve e edhe llogariten drejtime deficitare, studentët thonë se për ta duhej të vlenin kriteret sikur të fakulteteve teknike dhe drejtimeve matematike-natyrore, me të cilat kanë ngjashmëri. Në Rektorat paralajmëruan ndryshimin e kritereve

 

Vetëm pesëmbëdhjetë studentë të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë fituan sivjet bursën prej 660 eurosh nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Më pak përfitues sesa nga ky fakultet ka vetëm ai i Kulturës Fizike dhe Sportit, me katërmbëdhjetë studentë.

E, studentët e Fakultetit të Bujqësisë kanë drejtuar akuza ndaj menaxhmentit për padrejtësi në vendosjen e kritereve për njësitë akademike.

Në kriteret që ndër vite janë zbatuar nga Rektorati, kërkohet që studentët përfitues të kenë notën mesatare së paku 9.00. E, përjashtim bëjnë fakultetet teknike dhe disa departamente të shkencave matematiko-natyrore, ku studentët mund të jenë përfitues edhe me notën mesatare 8, për shkak se vlerësohen drejtime deficitare.

Sipas sekretarit të UP-së, Besfort Krasniqi, ky vendim është marrë vite me parë për shkak se këto fakultete janë cilësuar si drejtime të vështira dhe deficitare.

E, në këtë kategori kërkojnë që të përfshihen edhe studentët e Mjekësisë Veterinare.

Hamit Shala, student në vitin e katër, vlerëson se ky drejtimi është po aq i ngarkuar me provime sa fakultetet të cilat kanë ulje të kritereve.

“Asnjë student nuk ka arritur ta fitojë këtë bursë si pasojë e kritereve të cilat janë në shpërputhje me atë se çfarë programi ynë i studimeve ofron, duke ditur se programi ynë i studimeve është i ciklit 5-vjeçar dhe konkretisht llogaritet për një vit akademik 17 provime të parapara sipas syllabusit dhe gjithashtu pa përfshirë edhe provimet me asistentë, të cilat janë si parakusht për hyrje në provim të profesorëve”, ka thënë ai.

Drejtimet shkencore kanë nëntë deri në 14 provime në vit. Ndërsa fakultetet teknike nga 10 deri në 16 provime obligative.

Mjekësia Veterinare llogaritet si profesion deficitar nga profesorët e këtij fakulteti.

Fatgzim Latifi ka thënë se duhen 20 vjet për të nxjerrë profesionistë të rinj për t’i përmbushur nevojat e tregut të punës.

“Numri është shumë i nevojshëm për arsye se kuadrot që janë të punësuara në këto komuna, ose ka mungesë, ose nuk janë adekuatë me lëmin apo profesionin me të cilin punojnë në atë sektor”, ka thënë ai. “Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit duhet t’i ketë së paku 100 veterinerë të punësuar në atë sektor. Janë të punësuar vetëm 10”, ka thënë Latifi, i cili është i angazhuar në fakultet si profesor në drejtimin Mjekësi e Veterinarisë.
Për këtë vit akademik gjithsej 16 vende janë përmbushur në drejtimin Mjekësi e Veterinarisë.

Në Rektoratin e UP-së kanë thënë se janë duke planifikuar që të ndryshojnë kriteret.

Njomza Llullaku, prorektore për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve, ka thënë se do të përpilohet një rregullore për bursa, e cila do të promovojë diversitetin.

“Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ po planifikon të vendosë një rregullore për ndarjen e bursave në të ardhmen e afërt. Këto rregullore do të përshkruajnë kriteret specifike që do të përdoren për të vlerësuar aplikantët për bursë, si dhe çdo masë afirmative që mund të zbatohet për të promovuar diversitetin dhe gjithëpërfshirjen”, ka thënë ajo.

E, në Parlamentin Studentor kanë thënë se kërkesat e studentëve duhet të merren parasysh.

Rilind Kuçi, sekretar i studentëve, ka theksuar se vlera e shumës së bursës duhet të rritet gjatë viteve në vijim.

“Janë rritur nga 600 në 670, edhe pse kërkesa ka qenë në 700 euro. Më pas, për shkak të numrit të madh të studentëve të cilët kanë qenë përfitues të bursave, bursa ka rënë në vlerën 660 euro. Ne mendojmë që kjo nuk është shumë e cila i mbulon nevojat e studentëve, por prapëseprapë është një ndihmesë dhe ndoshta është kapaciteti maksimal i universitetit tani për tani”, ka thënë ai.

Menaxhmenti i UP-së ka ndarë sivjet afër 800 mijë euro nga buxheti prej 32 milionësh, për 1 mijë e 210 studentë të cilët përfituan nga bursat vjetore. Studentët e Juridikut janë përfituesit më të mëdhenj të bursave, gjithsej 207, e pas tyre janë ata të Arteve – 195 sish.