Futboll

Lojtarët e Kosovës vazhdojnë formën e lartë te Hoffenheimi

Hoffenheim

Qendërmbrojtësi Albian Hajdari shënoi gol, ndërsa qendërsulmuesi Fisnik Asllani asistoi në një tjetër.

Dhe kështu dy futbollistët e rëndësishëm të Kosovës të shtunën konfirmuan formën e lartë që po e kalojnë te Hoffenheimi në Bundesligën gjermane. 

Deri në fund të ndeshjes luajti edhe futbollisti tjetër i Kosovës, mesfushori Leon Avdullahu, në fitoren 3:1 të Hoffenheimit ndaj Leipzigut.

Ndeshja e së shtunës i takoi xhiros së 10-të të Bundesligës.

Hajdari nga afërsia shënoi gol në minutën e 20-të dhe e barazoi rezultatin.

Në minutën e 67-të në lojë u inkuadrua Asllani.

Asllani në minutën e 77-të shënoi, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Dy minuta më vonë, Asllani dha pasim të mirë për Grischa Promelin, i cili me gjuajtje të saktë realizoi për 3:1.

Për Hajdarin ishte goli i parë i sezonit, qëkur u transferua te Hoffenheimi në verë nga Lugano për 5 milionë euro.

Ndërkohë për Asllanin ishte asistimi i tretë në 12 paraqitje në të gjitha garat. Ai i ka edhe gjashtë gola të shënuar, pesë në Bundesligë e një në Kupën e Gjermanisë.

Hoffenheimi në vendin e pestë ka 19 pikë, tri më pak se Leipzigu i vendit të tretë.

Lexo përditësimet tjera
Albian Hajdari

Hajdari shënon në Bundesligë

Albian Hajdari e ka shënuar golin e parë në kampionatin elitar të Gjermanisë.Pak javë pasi u...