Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit A.I., lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë që ndodhi në Golluboc të Malishevës të enjten.
Zëdhënësi i Gjykatës, Lekë Muqaj, ka bërë të ditur se kërkesa për paraburgim është aprovuar pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.
“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj A.I. për dy vepra penale – ‘vrasje e rëndë’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Masa e paraburgimit llogaritet nga data 7 nëntor deri më 6 dhjetor 2025”, ka thënë Muqaj.
A.I. dyshohet se vrau dy vëllezërit e bashkëshortes së tij, ndërsa vetë mbeti i plagosur.
Ai sot u lirua nga QKUK-ja.
Pamje kur i dyshuari del nga QKUK-ja: