Është nxjerrë në pranga nga QKUK-ja dhe është përcjellë në qendër paraburgimi Astrit Isufi, i cili dyshohet se vrau dy vëllezërit e bashkëshortes, të enjten. Gjykata ia caktoi një muaj paraburgim, e prokuroria dha detaje të momentit kur është kryer krimi.
Me duar të lidhura është nxjerrë nga Qendra Klinike dhe Universitare dhe është përcjellë në qeli, Astrit Isufi, i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë në Golluboc të Malishevës.
Ai u kap të premten, një ditë pasi kreu krimin te shtëpia e bashkëshortes, ku vrau dy vëllezërit e saj. E, meqë edhe vetë kishte plagë, u trajtua në QKUK për më shumë se 24 orë.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit u mbajt mesditën e së shtunës në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale. Aty Gjykata Themelore e Gjakovës ia caktoi një muaj paraburgim.
Sipas vendimit të Gjykatës, Isufi do të qëndrojë deri më 6 dhjetor në paraburgim, si i dyshuar për “vrasje të rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Para vendimit, në Klinikë shkoi prokurorja dhe gjyqtari nga Gjakova, ku për gjysmë ore u parashtrua kërkesa që organi i akuzës bëri për paraburgim.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, dorasi me dashje privoi nga jeta dy vëllezërit e bashkëshortes.
Ky institucion dha edhe detaje të momentit kritik.
“Si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur dëshmitarja I. M., përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit, në rrugë vëren të pandehurin – bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me armë të llojit ‘pistoletë TT’ në drejtim të vëllait të saj, tani të ndjerit D. M., e më pas shtiu po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër të saj tani të ndjerë N. M. Të ndjerët D.M., dhe N.M., nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrirë përtokë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e të dyshuarit.
Edhe i dyshuari është plagosur.
Por, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Enver Fekaj, konfirmoi se 42-vjeçari ka gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka më nevojë për hospitalizim.
“E kemi bërë vizitën që në mëngjes dhe nuk ka pasur shenja klinike e as kompromitim ose devijim të statusit hemodinamik, megjithatë ne kemi kërkuar disa analiza shtesë në mënyrë që të jemi më të sigurt me konkluzionet tona dhe pas atyre analizave është konstatuar që pacienti nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjike”, ka thënë Fekaj.
Pasi gjendja shëndetësore e tij u vlerësua stabile, i prangosur dhe i rrethuar nga policë, pasditen e së shtunës i dyshuari Isufi u nxor nga QKU-ja dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit.
Vetëm këtë vit, Isufi është dënuar dy herë. Për rrahje të bashkëshortes, ai fillimisht u dënua me 5 muaj burgim, por apeli ia përgjysmoi atë. Ndërkaq, për kanosjen e vëllezërve të gruas, të cilët dyshohet se i vrau të enjten, ishte dënuar vetëm me gjobë.