Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit 30-ditor ndaj të pandehurit me inicialet A.I., i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në fshatin Golluboc të Malishevës.
Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 6 nëntor 2025 rreth orës 11:25, kur i pandehuri, i cili është dhëndër i familjes së viktimave D.M. dhe N.M., ka shkuar tek shtëpia e tyre për të marrë bashkëshorten dhe fëmijët, që ishin në ceremoninë e varrimit të babait të I.M., bashkëshortes së tij. Gjatë një fjalosjeje në rrugë, ai dyshohet se ka shtënë me pistoletë TT në drejtim të dy vëllezërve, të cilët kanë vdekur nga plagët e marra.
“...ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.I., më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 min, në fshatin Golluboc - Komuna e Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët D.M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc - Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D.M., dhe N.M., shkon në vendin e cekur më lartë, tek shtëpia e të ndjerëve për t’a marr bashkëshorten I.M., dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe tani të ndjerët D.M., dhe N.M., e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur dëshmitarja I.M., përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit në rrugë vëren të pandehurin - bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me armë të llojit Pistoletë TT në drejtim të vëllait të saj tani të ndjerit D.M., e më pas shtënë po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër të saj tani të ndjerë N.M., të ndjerët D.M., dhe N.M., nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrire përtokë”, thuhet në kërkesën e Prokuroisë.
Pas ngjarjes, i pandehuri ka larguar armën dhe është larguar në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat janë dërguar në QKMF Kijevë pa shenja jete.
I pandehuri u arrestua të nesërmen, më 7 nëntor 2025, dhe nga kjo datë është nën masën e ndalimit 48 orësh.
Ai dyshohet për “vrasje të rëndë”.