Dy dënime i janë shqiptuar gjatë vitit, dorasit që një ditë më parë kreu vrasjen e dyfishtë në Golluboc të Malishevës. Për rrahje të bashkëshortes, ai fillimisht u dënua me 5 muaj burgim, por apeli ia përgjysmoi atë. Ndërkaq, për kanosjen e vëllezërve të gruas, u dënua vetëm me gjobë. Juristë vlerësojnë se dënimet e lehta gjyqësore nxisin përsëritjen e krimeve.
I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Golluboc të Malishevës është recidivist i veprave penale, të kryera në raport me bashkëshorten dhe familjarët e saj.
Por, nëpërmjet dënimeve, gjykatat thuajse e amnistuan.
Më 30 mars të këtij viti, në ditën e festës së Bajramit, i dyshuari A. I, ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, motrës së viktimave, pasi i kishte kërkuar që t’i zgjonte fëmijët nga gjumi, por ata nuk i ishin bindur.
Sipas aktakuzës së cituar në vendimin e Gjykatës Themelore, ai e goditi gruan e tij me peshqir, më pas me shuplaka dhe e gjuajti me pjatën e ushqimit.
Në dosje tregohet se, po atë ditë, duke e ngrehur zvarrë, e ka futur në dhomë dhe e ka goditur me kabllo rryme derisa i ishte dukur e mjaftueshme, e më pas e ka larguar nga shtëpia.
Sipas aktakuzës, ai e ka kërcënuar me vrasjen e familjarëve të saj, po qe se do të guxonte ta mendonte divorcin.
“Ti nuk guxon me mu nda mua, se kam me të vra familjen, ka me t’i faru krejt”, thuhet në aktakuzë.
Për dhunën e ushtruar, ai kërkoi falje në seancë gjyqësore e Gjykata në Drenas i shqiptoi dënim me 5 muaj burgim e me 800 euro gjobë.
Por, dy muaj pas, në qershor, Gjykata Apelit ia zbuti këtë dënim në 3 muaj burgim e 800 euro gjobë.
Pos këtij rasti, i dyshuari për vrasjen e dyfishtë u dënua edhe për veprën penale kanosje.
Në prill të këtij viti ai i ka kërcënuar me vrasje familjarët e bashkëshortes, që kanë inicialet I. M. dhe M. M.
“Dilni nga lokali se ju vras, kini afat deri të shkoni në shtëpi, sepse si të shkoni në shtëpi unë do t’ju vras”, thuhet në aktakuzë.
Por, për këtë vepër që e kreu 6 muaj pas, Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me vetëm 200 euro gjobë.
Arrita Rezniqi, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se me këso dënimesh të buta të gjykatave, përveç që nuk arrihet qëllimi i dënimit, kryesit e veprave ndihen të lirë t’i përsërisin ato.
“Politika joadekuate ndëshkimore padyshim që ndikon ose përkthehet në mungesë të arritjes së qëllimit të dënimit, çka do të thotë se kjo lehtësisht mund të ndikojë pastaj edhe në rritjen e këtyre rasteve varësisht në situatat ku aplikohet ose thjeshtë nuk aplikohet politike adekuate ndëshkimore”, ka thënë Rezniqi.
Në disa raste të vrasjeve në Kosovë, e sidomos ndaj grave, kryesit kanë qenë përsëritës të veprave penale dhe dënimet ndaj tyre kanë qenë me disa muaj burgim ose me gjobë.