Avokati Skender Musa ka thënë se është e vështirë të vihet në përfundim pa u sqaruar se si u plagos dorasi – dhëndër i familjes - që vrau dy vëllezër në fshatin Golluboc të Malishevës të enjten. Dorasi u arrestuar sot në një shtëpi të pabanuar, pak kilometra larg vendit ku dyshohet se kreu krimin.
Musa ka thënë se duhet pritur për hetimin e plotë për të sqaruar se në çfarë rrethanash ndodhi incidenti tragjik.
“Kryerësi i asaj vepre penale është i plagosur, janë sekuestruar dy armë dhe ka pasur të shtëna edhe nga ana tjetër. Nuk dihet nëse kanë shtënë viktimat apo një palë tjetër. I dyshuari ka pasur dy ose tri plagë. Kjo tregon që kemi të bëjmë edhe me një vrasje në tentativë ndaj tij”, ka thënë Musa në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai shtoi se ende nuk dihet nëse plagosja e dorasit ndodhi para apo pas vrasjes së dy vëllezërve, dhe se këtë do ta sqarojë vetëm hetimi zyrtar.
“Nëse ai ka shkuar me qëllim për t’i vrarë, natyrisht është rrethanë rënduese. Por mund të ndodhë që edhe ky të ketë qenë i provokuar ose i sulmuar. Pa u qartësuar si u plagos, është problematike të vihet në përfundim”, shtoi avokati.
Musa vlerëson se pasojat janë të mëdha.
“Çështja e vrasjes në tentativë ndaj dorasit dhe faktit që ka dy apo tre plumba, tregon që aty ka pasur mosmarrëveshje apo ndoshta edhe një sulm në kuptimin e mbrojtjes së nevojshme nga ana e palës së sulmuar”, ka deklaruar ai.
I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve kishte të kaluar si recidivist i dhunës në familje dhe pati kritika për sistemin e drejtësisë që po shqipton dënime të lehta për kryerësit e këtyre veprave. Por avokati Musa ka thënë se gjykatat nuk mund të paragjykojnë paraprakisht se çfarë është i aftë të bëjë një person, pasi shpesh pala e dëmtuar ndryshon qëndrimin gjatë procesit gjyqësor.
“Nuk mund ta lemë fajtor gjykatën apriori. Ka raste në Prishtinë kur gratë që i kanë denoncuar bashkëshortët për dhunë, më vonë kërkojnë lirimin e tyre. Shpesh ato kthehen te bashkëshorti për shkak të mungesës së kushteve ekonomike dhe regjistrohet si ‘kthim vullnetar’ “, ka deklaruar ai.
LEXO EDHE: