Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se Prishtina ka pas nevojë që një kohë shumë të gjatë për Spital.
Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se qytetari i Prishtinës është në situatë shumë të disafavorshme, sepse i duhet të shkojë direkt në QKUK, dhe barazohet me qytetarët e qyteteve të tjera që kanë kaluar në shërbimin sekondar.
“Vushtrria ka spital, Prishtina mos me pas spital trego njëfarë shkurtpamësie në këtë punë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo ka marrë fund. Ka treguar se tashmë kanë nënshkruar marrëveshje me Ministrin e MAPL-së, Mahir Yagcilar, për ndërtimin e këtij objekti.
“Do të bëhet një analizë se për çfarë shërbimesh ka nevojë në Spitalin e Prishtinës”, ka thënë Ismaili.
Ai ka thënë se spitali i ri do ta shkarkonte edhe qytetarin por edhe mjekët në QKUK.
“Buxhetin që e kemi ndarë është 7 milionë, që na lejon vetëm nisjen e procedurave, por kostoja përfundimtare do të dalë pasi të krijimit të projektit dhe analizave. Mirëpo në pamundësi që ta dimë koston definitive ne nuk kemi mundur të shkojmë te ministri i Financave dhe t’i themi ndaj 20 milionë euro”, ka thënë Ismaili.
Ai ka thënë se ndërtesa e Spitalit duhet të kryhet brenda 3 viteve.
“Lokacioni duhet të përcaktohet nga ana e Komuna e Prishtinës. Kemi kontratë edhe me Komunën e Prishtinës, dhe mendoj se ata do ta bëjnë një gjë të tillë në momentin që jemi gati. Nuk pres që kjo çështje të jetë në mes të Komunës e Ministrisë. Ne ende nuk e dimë se sa hapësirë mund të kërkohet”, ka thënë Ismaili.
Ai ka thënë se personalisht nuk është që ndërtesa e Spitalit të largohet në periferi të largët.
“Mendoj se duhet të jetë atje ku mund të shkohet edhe me transport publik”, ka thënë Ismaili.