Dhjetëra mijëra shërbime kryen çdo vit Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Një numër i madh prej tyre janë banorë të Komunës së Prishtinës, të cilët në mungesë të një spitali të qytetit udhëzohen nga Qendrat e Mjekësive Familjare për në QKUK.
Kështu kjo e fundit thotë se po mbingarkohet me pacientë edhe të nivelit sekondar, ndonëse do duhej të merrej vetëm me raste terciare, raporton "038" në KTV.
Kanë kaluar shumë vjet nga ideja e spitalit të qytetit. Ndonëse ndërtimi i tij është tashmë edhe pjesë e ligjit për kryeqytetin, projekti për të është ende në fazën e diskutimeve ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës për caktimin e lokacionit.
Ministri Uran Ismaili thotë se nuk po nguten me këtë projekt, pasi po duan që kur të fillojnë investimet të mos ketë ngecje.
Edhe
U ndanë parcela dhe buxheti, por ende s’ka nisur ndërtimi i spitalit të Prishtinës
“Është një projekt kapital, duhet të ketë pak kujdes sepse spitali ndërtohet njëherë. E kuptoj që pritjet e gjata që Prishtina të ketë spitalin e vet, kanë krijuar edhe nguti, por unë, si Ministër i Shëndetësisë, duhet bërë që të gjithë hapat të analizohen mirë, që në momentin që të fillojmë të mos kemi asnjë ngecje, asnjë ndalje”.
Ministria planifikon që vitin e ardhshëm ta hapë një konkurs për oferta në dizajnimin e spitalit, i cili, sipas Ligjit për Prishtinën, do të ofrojë shërbime sekondare.
Por, ndryshe deklarohet i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Nuk është si jemi dakorduar. Ne jemi dakorduar që ministria ta bëjë studimin e fizibilitetit. Se çka do të ketë ky spital, cilat shërbime, cilat spitale do të kalojnë nga QKUK, kur t‘i marrim vesh këto, atëherë e dimë edhe çfarë ndërtese po kërkojmë, rrjedhimisht çfarë toke. Nuk mund ta caktojmë lokacionin pa e ditë saktë për çka”.
Ndërsa, ish-drejtori i shëndetësisë në komunë nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, i cili është shkarkuar para më shumë se një muaji, ka treguar për atë që di rreth këtij projekti.
Vitia thotë se nuk ka qenë prezent në takimin e muajit prill ndërmjet ministrit Ismaili dhe kryetarit Ahmeti. Sipas tij, nga kjo kohë, kryetari Ahmeti e ka marrë vetë përsipër vazhdimin e projektit.
Edhe
Spitali i Prishtinës pritet të ngrihet pa koordinim e analizë
“Një takim të një karakteri tjetër, jo për këtë temë, që kam pasur me ministrin Ismaili, ministri më ka thënë që nga ky takim që e ka pasur me kryetarin Ahmeti janë dakorduar dhe pritet tani vetëm caktimi i lokacionit nga drejtoritë përkatëse në komunë se ku do të ndërtohet spitali dhe pastaj ministria do të vazhdojë me punët dhe investimet tjera”.
Ministria e Shëndetësisë ka përfshirë në buxhetin e vitit 2019 450 mijë euro për spitalin e qytetit, i cili në tërësi është paraparë të përfundojë së ndërtuari në vitin 2021.