Një projekt që ishte paralajmëruar me zhurmë në vitin 2023 – ndërtimi i një spitali të ri në Komunën e Prishtinës – ende nuk ka lëvizur nga vendi. Edhe pse për të ishte ndarë një parcelë prej 3 hektarësh dhe 2.8 milionë euro nga buxheti, deri më sot nuk ka nisur asnjë punim konkret. Komuna thotë se po pret planin nga niveli qendror, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk japin sqarime.
Që nga viti 2023, është marrë vendimi për ndërtimin e një spitali të ri në Komunën e Prishtinës.
Për realizimin e këtij projekti ishte ndarë një shumë prej 2.8 milionë eurosh nga buxheti i shtetit si dhe ishte caktuar edhe parcela prej mbi katër hektarësh në territorin e Komunës së Prishtinës.
Ky spital, sipas njohësit të shëndetësisë, Bujar Vitija, do të duhej të shkarkonte ngarkesën e madhe të qendrave ekzistuese shëndetësore në kryeqytet.
“Është një fluks i madh si në sistemin e ambulancës specialistike ku prej QKMF-ve në këtë rast, prej sistemit primar shëndetësor referohen direkt në terciare. Është ngarkesë dhe konsideroj që natyrisht që kishte lehtësuar dhe së paku kish pas një lloj filtri të pacientit të përcjelljes. Komuna e Prishtinës nuk ka një spital, derisa shtatë qytete tjera kanë një të tillë. Në masë të madhe e kishte liruar së paku çështjen e referimeve dhe një lloj si të thuash kontrolli mbi pacientët për të pasur nivel më të lartë të shërbimeve”, ka deklaruar ai.
Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, këtë projekt e konsideron si projekt të rëndësishëm.
Drejtori Izet Sadiku thotë se kanë dërguar kërkesë te Ministria e Punëve të Brendshme për leje të nisjes së punës, por këta të fundit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
“Kemi ndarë tokën që është obligim i Prishtinës. Kemi ndarë hapësirën ku do të ndërtohet spitali, kemi dhënë rekomandimet tona për nevojat që ka Prishtina për këtë çështje dhe realisht kemi ndarë edhe buxhet. Kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është dorëzuar projekti me na e dorëzuar projektin, por nuk kemi asnjë reagim. Ne kemi pasur 2 milionë e 800 mijë euro që tash shkojnë në suficit për shkak se nuk kemi marrë miratimin ende”, ka deklaruar ai.
Projekti ka nisur që në kohën kur funksiononte Ministria e Administratës dhe Pushtetit lokal, derisa gjatë qeverisë Kurti ajo është shkrirë dhe disa nga funksionet, tash i kryen Ministria e Brendshme.
KTV-ja ka insistuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme, pse ka ngecur projekti, por askush nuk ka folur për këtë.
Violeta Salihu nga opozita në Kuvendin Komunal, përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se përgjegjësinë kryesore për dështimin e këtij projekti e mban kryetari Përparim Rama.
“Mënyra si kanë dështuar këto projekte në vazhdimësi, që nga fillimi i kësaj qeverisjeje, tregon se tentimi për ta fajësuar qeverinë qendrore është kthyer në një alternativë për t’u shfajësuar nga dështimet e radhës të z. Përparim Rama. Sa i përket këtij projekti konkret, dështimi mund të ketë ardhur si pasojë e procedurave që nuk kanë qenë në përputhje me rregulloren”, u shpreh Salihu.
Ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, vlerëson se ky projekt për t’u realizuar në mënyrë profesionale kërkon kohë.
“Ky projekt nuk përfshin vetëm ndërtimin e infrastrukturës fizike, po kërkon edhe krijimin e stafit profesional, pra është një proces që kërkon kohë me një interval 4 ose 5 vite”, ka thënë ai.
Gazetari Vitija nuk beson që projekti do të nisë as gjatë këtij viti.
“Nuk ka shpresa që ky projekt të ecë përpara këtë vit, pasi tashmë jemi afër zgjedhjeve lokale dhe cilado parti që i fiton ato, me gjasë nuk do ta ketë prioritet këtë çështje. Projekti rrezikon të mbetet i bllokuar”, shtoi ai.
Derisa pushtetet ai lokal dhe ai qendror fajësojnë njëri-tjetrin për dështimet, SHSKUK-ja mbetet qendra më e ngarkuar dhe me shumë sfida në administrimin e të gjitha kërkesave.