Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjykata Speciale arreston dy persona për pengim të drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar të premten se i ka arrestuar dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

Në njoftim të premten, ZPS-ja ka thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe se ata janë dërguar në qendrën e paraburgimin të DHSK-së në Hagë, ku do të dalin para një gjykatësi së shpejti.

Ata dyshohet se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara, sipas njoftimit.

“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftim.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës ndihmuan në arrestimin e Bahtjarit dhe Januzit, sipas njoftimit.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”, thuhet në njoftim, ndërsa shtohet se informacioni i mëtejmë do të jepet në kohën e duhur.

Arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sabit Januzi e pati konfirmuar për KOHËN të enjten edhe avokati i tij, Kushtrim Bytyqi.

Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Artikuj të ngjashëm