Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, që këtë javë u arrestuan me kërkesë të Speciales, akuzohen se gjatë prillit kontaktuan një person, nga i cili kërkuan ta tërheqë dëshminë. Në aktakuzën e publikuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thuhet se pas dy takimeve, të akuzuarit i krijuan frikë dhe shqetësime të rënda një dëshmitari
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka publikuar aktakuzën ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit, të cilët u arrestuan këtë javë nën dyshimin se duke kërcënuar dëshmitarët, synuan të pengonin administrimin e drejtësisë.
Në të theksohet se të dy të akuzuarit kanë takuar një dëshmitar, të cilit i kanë kërkuar që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Speciales.
“Përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Sipas aktakuzës, Januzi dhe Bahtjari kanë bashkëvepruar me individë të tjerë dhe të cilët dëshmitarin e kanë takuar më shumë se një herë gjatë prillit.
“Si rezultat i kontaktit të dytë, dëshmitari 1 u shqetësua edhe më shumë për sigurinë e vet dhe të familjes. Januzi dhe Bahtjari: (i) i krijuan frikë dhe shqetësime të rënda një personi – dëshmitarit 1 – i cili i ka dhënë ose ka të ngjarë t’u japë informacion TFHS-së, ZPS-së dhe/ose cilitdo trupi gjykues të DHSK-së për krimet ose veprat penale të përfshira në juridiksionin e DHSK-së, që përbën një faktor të fortë shkurajues për dhënien e informacioneve (të mëtejshme) nga ky person lidhur me krimet e përfshira në juridiksionin e DHSK-së”, bën të ditur ZPS-ja.
Në aktakuzë theksohet se përmes këtyre veprimeve Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari mbajnë përgjegjësi penale individuale për kryerje ose tentativë për kryerjen e secilës prej veprave penale të paraqitura në aktakuzë.
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.