Arbëri

Specialja arreston ish-pjesëtarin e UÇK-së, Sabit Januzi

Gjykata Speciale ka arrestuar të enjten ish-pjesëtarin e UÇK-së, Sabit Januzi nga Fushtica e Drenasit.

Këtë e ka konfirmuar avokati i tij, Kushtrim Bytyqi, që i tha KOHËS se Jonuzi është intervistuar të mërkurën nga Zyra e Prokurorisë Speciale (ZPS) në Fushë-Kosovë dhe është liruar, por sot është arrestuar në shtëpinë e tij.

“Mund të ju konfirmoj se sot në mëngjes është arrestuar z.Sabit Januzi, ish-luftëtar i UÇK-së, tani veteran. Dje ai është marrë në pyetje nga ZPS-ja në Fushë-Kosovë dhe është liruar, por sot është arrestuar në shtëpinë e tij. Paraprakisht, në fillim të majit 2023, i është bastisur shtëpia dhe i është konfiskuar telefoni”, ka thënë Bytyqi.

Avokati ka shtuar se ish-luftëtari i UÇK-së po dyshohet për pengim të drejtësisë lidhur me një çështje penale që po trajtohet në Dhomat e Specializuara.

Ndërsa, kryetari i degës së shoqatës së veteranëve në Drenas, Enver Hajdari, i ka thënë RTK-së se sipas familjarëve, Januzi tashmë është dërguar në Hagë.