Gjykata Speciale ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila është arritur mes Haxhi Shalës, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Bazuar në të, Shala u dënua me tre vjet burgim e dy të tjerët me nga dy
Haxhi Shala është dënuar të martën me 3 vjet burgim e Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet burgim secili, pasi Gjykata Speciale pranoi marrëveshjen e arritur mes të akuzuarve dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për pranimin e fajësisë për pengim të administrimit të drejtësisë.
Gjykata me seli në Hagë konstatoi se secili prej të akuzuarve ka qenë pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos jepte dëshmi në Gjykatë, duke u premtuar përfitime.
“Në emër të popullit të Kosovës, Trupi Gjykues ju shpall juve zotëri Shala, Januzi dhe Bahtijari fajtorë për veprat e më poshtme, në bazë të pikave 1 dhe 2 të aktakuzës”, ka thënë Mapi Feld-Folia, kryetare e trupit gjykues.
Sipas gjykatës, Januzi dhe Bahtijari duke vepruar nën udhëzimet e Shalës janë takuar me dëshmitarin në shtëpinë e vetë më datë 5 dhe 12 prill 2023. Në takimin e datës 5 prill Bahtijari i ka thënë se duhet që të tërheqë dëshminë e tij. E më 12 prill Januzi i ka bërë dëshmitarit një ofertë se Shala dhe të tjerët do ta ndihmonin atë në rast se do të tërhiqte dëshminë e dhënë.
Gjykata ia ka njohur të drejtën të dëmtuarit edhe në dëmshpërblim.
“Zotëri Shala do të paguajë 400 euro, zotëri Januzi 100 euro dhe zotëri Bahtjari nuk do të paguaj asgjë. Pagesa e këtyre shumave do të bëhet jo më vonë sesa të mërkurën, data 19 shkurt 2025”, ka thënë Feld-Folia.
Për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarve, ka njoftuar ZPS-ja më 17 dhjetor të vitit që shkoi.
Januzi dhe Bahtijari gjenden në paraburgim që nga 5 tetori 2023 e Shala prej 11 dhjetorit të 2023-s. Gjykata ka bërë të ditur e koha e kaluar në paraburgim do t’i zbritet nga dënimi.
Ky është aktgjykimi i katërt i Speciales. Për krime lufte është dënuar Sali Mustafa me 15 vjet burgim dhe Pjetër Shala me 18 vjet heqje lirie. E për pengim në administrimin e drejtësisë, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati me nga 4 vjet e 3 muaj burg.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë edhe dy çështje të tjera që presin epilogun, përfshirë atë ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.