Eksperti i energjisë, Luan Shllaku, ka thënë se Qeveria duhet të japë llogari edhe për vonesat në investime në sektorin e energjisë dhe realizimin e strategjisë energjetike.
Shllaku ka vlerësuar se problemi themelor i Kosovës nuk është vetëm prej kujt po blen energji elektrike, por pse, pas kaq shumë vitesh, ende nuk janë krijuar kapacitete të mjaftueshme vendore për një furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Ai ka thënë se realizimi i parashikimeve të Qeverisë për investime në kapacitete të reja të energjisë solare mbetet shumë larg ambicieve të shpallura dhe sipas tij duhet të ketë debat për investimet e vonuara.
Ai ka thënë se debati i ashpërsuar rreth importit të energjisë elektrike nga Serbia është edhe një shembull se si politika kosovare merret me pasojat, por jo me shkaqet e problemeve.
Sipas tij debati duhet të përqendrohet rreth asaj se pse Kosova është ende e varur nga importi i energjisë.
Edhe
Shllaku: Pyetja nuk është se nga cili vend e blejmë energjinë, por pse s’ka prodhim të mjaftueshëm
“E tërë klasa politike merret me miun, por nuk e sheh elefantin në dhomë! ... Opozita akuzon Qeverinë për importin e energjisë nga Serbia, ndërsa qeveria kundërpërgjigjet me masa ndaj kompanive serbe nga të cilat importohet. Shumë zhurmë rreth asaj se kush po e importon energjinë, por fare pak debat se pse Kosova vazhdon të jetë kaq e varur nga importi dhe çka duhet bërë për ta ndryshuar këtë gjendje”, ka shkruar Shllaku në një status në Facebook.
Ai ka thënë se kapacitetet ekzistuese të prodhimit po vjetrohen, nevojat për energji po rriten, ndërsa investimet në kapacitete të reja po ecin me ritme shqetësuese.
Sipas tij perspektiva energjetike e vendit kërkon një debat shumë më serioz sesa përplasjet e përditshme politike.
Ai ka renditur disa nga çështjet rreth të cilave duhet të bëhet debati.
“Vetë qeveria, në dokumentet e saj strategjike, ka paraparë rreth 1,600 MË fuqi, kapacitete të reja nga energjia solare dhe e erës deri në vitin 2030. Por, pas katër-pesë vjetësh, realizimi mbetet shumë larg ambicieve të shpallura. Me këtë ritëm, si mendohet të arrihen objektivat e vitit 2030? Ku është debati për investimet e vonuara? Për sigurinë afatgjatë të furnizimit? Për kapacitetet e reja prodhuese, ruajtjen e energjisë, fleksibilitetin e sistemit dhe zëvendësimin gradual të termocentraleve të stërvjetruara?”, ka shkruar Shllaku
Edhe
Energjia ndez akuza mes pushtetit e opozitës në Kuvend
Ai ka pyetur se ku është presioni politik dhe publik që Qeveria të realizojë, të paktën, atë që vetë e ka premtuar?
“Sigurisht, transparenca e importit, konkurrenca dhe origjina e energjisë janë çështje legjitime. Por ato nuk mund ta zëvendësojnë debatin për të ardhmen energjetike të Kosovës. E tërë klasa politike po merret me miun, ndërsa elefanti në dhomë mbetet jashtë debatit. Opozita fokusohet te importuesit, ndërsa qeveria duhet të japë llogari edhe për vonesat në investime dhe realizimin e strategjisë energjetike”, ka shkruar Shllaku.
Kosovës sipas tij nuk i duhet vetëm një politikë se prej kujt ta blejë energjinë nesër.
Shllaku ka thënë se Kosovës i duhet një politikë serioze se si ta prodhojë, ta ruajë dhe ta sigurojë energjinë për dekadat që vijnë.
Sepse sipas tij siguria energjetike nuk ndërtohet me polemika politike ditore, por me investime, vendime dhe rezultate konkrete.
Edhe
Energjia dhe tregtimi i saj me kompanitë serbe në Kosovë, sot në “60 Minuta” me deputeten Janina Ymeri
“Dhe, për fund, një lutje për ju që merrni pjesë në debatet për energjinë: mësojini, ju lutem, të paktën njësitë matëse që i përdorni! MË nuk është MWah, e as energjia nuk është e njëjta gjë me fuqinë. Nuk është aq e vështirë. Do të na merrte shumë pak kohë t’jua shpjegonim, e juve do t’ju duhej edhe më pak kohë për t’i mësuar. Besoj se edhe publiku do t’ju merrte më seriozisht po të mos bënit gabime kaq banale sa herë flisni për energjinë!”, ka shkruar Shllalku.
Qeveria e Kosovës të hënën ua ka ndaluar tregtinë me rrymë operatorëve serbë në tregun e energjisë elektrike të Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare të interkoneksionit.