Ekonomi

Shllaku: Pyetja nuk është se nga cili vend e blejmë energjinë, por pse s’ka prodhim të mjaftueshëm

Luan Shllaku

Eksperti i energjisë, Luan Shllaku, ka vlerësuar se nuk duhet të jetë temë diskutimi se nga vjen energjia që e importon Kosova, por pse nuk ka prodhim të mjaftueshëm për të mos pasur nevojë për import. 
Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se energjia nuk blihet nga një shtet, por nga oferta më e lirë në treg.

Shllaku ka thënë se debati i vërtetë është se a ka mundësi abuzimi nga Qeveria. 

Ai ka përmendur disa pozicione që sipas tij, mundësojnë abuzimin e vendimmarrësve.

“Mosinvestimi i gjatë në kapacitetet e Kosovës rrit varësinë nga importi. Gati 5 vjet pasi u soll Strategjia e Energjisë kapaciteti gjenerues u rrit për zero megavat! Në këtë mënyrë, varësia nga importi e rriti rolin e tregtarëve privatë. Tregtarët marrin fitime të majme, sidomos në kohë krize. Sa më e dobët infrastruktura kombëtare, aq më i fortë tregtari”, ka shkruar Shllaku.

Ai ka thënë se debati i vërtetë duhet të jetë për ngecjen e pashpjegueshme të ndërtimit e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike. 

“Pra pyetja nuk është fare se nga cili vend po e blejmë energjinë, gjë që u diskutua në mes tjerash këto ditë. Pyetja është: pse Kosova nuk ka prodhim të mjaftueshëm që të mos ketë nevojë për Vuk Hamoviqët?”, ka shkruar Shllaku.

Ai ka theksuar se të gjitha vendet e rajonit blejnë dhe shesin energji elektrike dhe sipas tij në tregun e energjisë askush nuk mund të dijë fizikisht nga cili vend po vjen energjia.

“Kur energjia (elektronet) futen në rrjet ato nuk mbajnë flamurin e shtetit të origjinës por bëhen pjesë e sistemit të përbashkët të transmetimit rajonal. Energjia në rrjet përzihet fizikisht, dhe kjo është e pashmangshme. Le ta mendojmë se e kemi një rezervuar me ujë që furnizon një katund të tanë, i cili mbushet me ujë nga disa përroska, apo puse që i ka afër. Asnjë nga shtëpitë nuk e di se nga cili pus i ka ardhur uji në rubinet! Njëjtë, në tregun e energjisë askush nuk mund të dijë fizikisht nga cili vend po vjen energjia!”, ka shkruar Shllaku.

Sipas tij, kështu funksionon sistemi evropian i energjisë sepse sapo energjia futet në rrjet, përzihet me energjinë e të gjitha vendeve përreth. 

“Elektronet nuk mbajnë ‘targa shqiptare’ apo ‘targa serbe’. Dhe sa di unë, nuk ka mënyrë teknike të dallosh origjinën fizike. A blen Kosova energji nga Serbia? Po, ndodh — sepse tregu blen ku është më lirë, jo ku është ‘patriotike’. Por edhe Serbia shpesh importon, dhe shpesh eksporton. Edhe Kosova importon dhe eksporton. Edhe Shqipëria”, ka shkruar Shllaku. 

Sipas tij paratë nuk shkojnë atij që e ka prodhuar energjinë.

“Po parët kujt i shkojnë? Kur Kosova blen energji, parët nuk i shkojnë atij që i ka prodhuar fizikisht elektronet (sepse kjo nuk dihet). Parët i shkojnë kompanisë që e ka kontratën për shitje si EFT e Vuk Hamoviqit, GEN-I, NOA etj. Këto kompani e marrin marzhën e tyre të fitimit, sepse energjia është mall tregu”, ka shkruar Shllaku.

Ditëve të fundit, partitë opozitare kanë hedhur akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se kjo e fundit ka importuar energji elektrike në sasi të mëdha, ku përfitues i këtij procesi thuhet se ka qenë Vuk Hamoviq, i biri i ish-shefit të Armatës Jugosllave, Rade Hamoviq.

Vuk Hamoviq, përmes kompanisë së tij EFT, është një prej furnizuesve kryesorë të energjisë elektrike në Ballkan. Më parë, kanë qarkulluar akuza se VV-ja ka importuar rrymë përmes kompanisë NOA, e cila ka lidhje indirekte me EFT-në e Hamoviqit.

Akuzave u është përgjigjur ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i cili në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, ka thënë se pretendimet e opozitës se u importua rrymë nga Serbia edhe më 28 nëntor janë propagandë e ndytë, duke shtuar se importi nga ky vend është minimal dhe nuk ka ndikim në furnizimin e vendit.