Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shkollat anulojnë procedurat për ekskursione, Këshilli i Prindërve kundërshton arsyetimin e DKA-së

Shkollat

Disa shkolla të mesme në Prishtinë kanë anuluar procedurat për përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë për organizimin e ekskursioneve për maturantët. Në njërën prej tyre, Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, procedura është anuluar pas konstatimit të mangësive nga përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit, ndërsa e njëjta është rishpallur në të njëjtën ditë. Anulimi i procedurave ka nxitur reagime edhe nga Këshilli i Prindërve, i cili e vë në pikëpyetje arsyeshmërinë e këtyre vendimeve.

Disa shkolla të mesme në Prishtinë kanë anuluar procedurën për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për organizimin e ekskursioneve për nxënësit e klasave të 12-ta.

Njëra prej tyre është edhe Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Ali Sokoli”, ku përfaqësuesit e Drejtorisë së Arsimit kanë konstatuar se nuk janë përmbushur kriteret, ndër to edhe përcaktimi i çmimit tavan.
Drejtori i kësaj shkolle, Flamur Bujupi, ka treguar edhe arsyet e tjera të anulimit të procedurës.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju informoj se procedura e mëparshme për ekskursionin është anuluar për shkak të mosvendosjes së çmimit tavan, bazuar në sqarimin e zyrtarit përgjegjës të DKA-së, si dhe për faktin se, sipas të njëjtit zyrtar, në procedurë kanë qenë vetëm dy oferta”, tha Bujupi. 

Sipas drejtorit, kërkesa e prindërve dhe nxënësve ka qenë që të rishpallet procedura në një kohë sa më të shkurtër, gjë që edhe ka ndodhur, pasi kjo shkollë më 2 tetor ka rishpallur sërish ofertën për ekskursion, po atë ditë kur kishte njoftuar për anulimin.

Edhe Shkolla e Mesme “28 Nëntori” e ka anuluar shpalljen e publikuar më 23 shtator. DKA-ja, njëjtë edhe në këtë shkollë, ka evidentuar mangësi që lidhen me çmimin tavan.

Drejtoresha e shkollës, Zyrafete Kafexholli, thotë se, pavarësisht rishpalljes që ka ndodhur më 6 tetor, janë ende brenda afateve.

“Edhe e kemi ndryshuar pak formularin që e ka dërguar prej DKA-së. E kemi ndryshuar diçka, kemi shkuar si viteve të kaluara dhe ajo ka qenë gabimi ynë, domethënë gabim teknik i yni. Përndryshe, jemi shumë në rregull. Ne jemi brenda afatit ligjor. Ekskursionet organizohen brenda tetorit, kështu që jemi brenda afatit, nuk ka pasur asnjë reagim”, tha Kafexholli. 

E nga Këshilli i Prindërve thonë se arsyet e anulimit janë të paarsyeshme.

Sipas tij, ka shkolla që nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara, por e kanë mbajtur ekskursionin pa probleme.

Sipas tij, paratë e prindërve duhet të menaxhohen në mënyrën e duhur.

“Shkollat në pritje janë shkolla “Sami Frashëri”, shkolla “Ahmet Gashi”, besoj sot i përfundojnë afatet ofertuese. Nesër veç duhet me i hapur ofertat për me këqyrë cila ofertë është më e leverdishmja për nxënësit. Dhe prapë po e përsëris, kjo është e drejtë e Këshillit Drejtues. Këshilli Drejtues menaxhon edhe me paratë e prindërve, Këshilli Drejtues menaxhon edhe me ekskursionin, vendos kush po e bën udhëheqjen e ekskursionit, gjithçka është Këshilli Drejtues. Paratë nuk janë të Komunës, po paratë janë të prindërve. Dhe derisa paratë janë të prindërve, atëherë prindërit duhet me menaxhuar me këtë gjë”, tha Nexhmi Hoxha, nga Këshilli i Prindërve në Prishtinë. 

DKA-ja gjatë të martës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS.

Sipas udhëzimit, ekskursioni kalon nëpër disa hapa: vendimi i Këshillit Drejtues, pëlqimi i prindërve dhe nxënësve, ofertat nga së paku tri agjenci, përzgjedhja e agjencisë dhe pëlqimi i DKA-së, ndërsa MASHT-i njoftohet 10 ditë para ekskursionit.

Udhëzimi kërkon që ekskursioni të organizohet me pëlqimin e prindërve, përmes së paku tri ofertave, ndërsa agjencia duhet të jetë e licencuar dhe të plotësojë kriteret për sigurinë e transportit dhe kujdesin ndaj nxënësve.