Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Disa komuna anulojnë përkohësisht ekskursionet e nxënëseve për Shqipëri

Protesta

Foto: Associated Press

Drenasi, Malisheva dhe Lipjani kanë anuluar përkohësisht ekskursionet e nxënësve të shkollave të mesme në Shqipëri, për shkak të protestave antiqeveritare në Tiranë. E disa komuna të tjera, nxënësit i kanë dërguar në Shqipëri për ekskursion, por jo në Tiranë

Protestat në Tiranë kanë ndryshuar planet e ekskursioneve për nxënësit e disa shkollave të mesme në Kosovë. 

Shkaku i kësaj, Komuna e Malishevës dhe ajo e Lipjanit kanë vendosur t’i anulojnë përkohësisht vizitat në Shqipëri.

“Nxënësit e shkollave të mesme të Lipjanit nuk e kanë realizuar ekskursionin në Shqipëri. Kemi mbajtur takim me drejtorët e shkollave respektive dhe kryetarë të Këshillave Drejtues të Shkollave dhe e kemi anuluar përkohësisht këtë aktivitet”, thuhet në një përgjigje nga Drejtoria e Arsimit në Lipjan.

Përgjige të ngjashme kanë dhënë edhe nga Drejtoria e Arsimit në Drenas.

“Shkolla profesionale ka shkuar në bazë të planifikimit, por ka qenë organizimi më i hershëm para protestave. Për arsyeje të sigurisë, kemi anuluar ekskursionin e nxënësve të gjimnazit që ka qenë i planifikuar më 19 tetor”, thuhet në  përgjigje.

E nga Komuna e Vitisë kanë njoftuar se ende nuk kanë marrë vendim lidhur me organizimin ose jo të ekskursionit. 

“Sa i përket çështjes së ekskursionit, ne si DKA dhe shkollat e mesme, kemi pranuar kërkesa nga nxënësit dhe prindërit për organizimin e ekskursionit. Mirëpo, ne si DKA, duke u bazuar në kompetencat ligjore që kemi, jemi ende në fazën e shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe ende nuk kemi marrë vendim për aprovimin e tyre, për shkak të rrethanave që janë paraqitur në Shqipëri”, thuhet në përgjigjen e kësaj drejtorie.

Në Podujevë, gjimnazi dhe shkolla teknike e kanë realizuar ekskursionin në shtator, ndërsa gjatë javës që shkoi në Shqipëri kanë qëndruar edhe nxënësit e shkollës ekonomike.

Sipas Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, vizita në Tiranë është zëvendësuar me atë në Shkodër, dhe deri më tani nuk është raportuar ndonjë problem.

“Dy prej shkollave kanë shkuar në fillim të shtatorit, ndërsa shkolla ekonomike ka shkuar të hënën dhe kthehet nesër. Jo vetëm në komunën tonë, por edhe në të tjera, vizitën në Tiranë e kanë zëvendësuar me vizitën në Shkodër, deri tani nuk ka pasur asnjë problem. Fillimisht kemi kontaktuar më Këshillin e Prindërve dhe Këshilli i Prindërve ishin këmbëngulës, meqenëse si shkollë atyre ju është shtyrë afati deri më 19 tetor, për shkak që nuk kishte vende atje. Nuk është që nuk kemi bërë përpjekje për ta shtyrë për një afat tjetër, por Këshilli i Prindërve vendosi të shkojë”, thuhet në përgjigje.

Në Kamenicë ekskursioni është realizuar javën e kaluar, por vizita në Tiranë ishte anuluar.

Ndërkaq, nxënësit e shkollave të mesme nga Mitrovica, Klina, Rahoveci, Deçani dhe Fushë-Kosova e kanë realizuar këtë aktivitet gjatë muajit shtator.

Në Shqipëri tash e dy javë po protestohet kundër Qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Protestat janë shoqëruar me dhunë nga të dyja palët – protestuesit dhe policët.